Një hetim në Shtetet e Bashkuara ka zbuluar se "iPhone 7" dhe "Samsung Galaxy S8" lëshojnë më shumë rrezatim sesa smartfonët e tjerë të prodhuar përgjatë viteve të fundit. Gazeta e njohur “Chicago Tribune” ka zbuluar pas një hetimi të gjatë se këta dy lloje telefonash lëshojnë më shumë rrezatim sesa e lejojnë rregullatorët amerikanë.
Të gjithë telefonat celularë përdorin radiofrekuencwn (RF) për të transmetuar sinjale, e cila është një frekuencë shumë më e ulët sesa format e tjera kancerogjene të rrezatimit, si për shembull rrezet X. Por diskutimet nëse këto valë rrezatimi janë apo jo të dëmshme për njerëzit, vazhdojnë në të gjitha vendet perëndimore.
Si masë paraprake, rregullatorët amerikanë vendosin kufizime për sasinë e rrezatimit që mund të emetojnë pajisjet si telefonat celurarë, por testet e “Chicago Tribune” zbuluan se iPhone 7, Samsung Galaxy S8 dhe disa modele të tjera nga të dyja kompanitë e njohura i tejkalojnë këto kufij.
Sasia e rrezatimit të iPhone 7 ishte shumë e më lartë nga ajo që raportoi Apple tek rregullatorët amerikanë. Pas publikimit të këtij studimi, Komisioni Amerikan i Komunikimit po heton si Apple ashtu edhe Samsung.
Sipas këtij studimi, emetimet relativisht të ulëta, si rrezatimet e përdorura nga telefonat celularë kanë potencialin të depërtojnë në lëkurë dhe të dëmtojnë ADN-në. Nëse nivelet dhe kohëzgjatja e qëndrimit pranë telefonave celularë janë të larta, këto valë mund të shkaktojnë kancer dhe probleme të tjera shëndetësore.
Studimet e realizuar mbi minjtë kanë treguar që rrezatimi mund të rrisë rrezikun për zemrën dhe tumoret riprodhuese por çuditërisht meshkujt e ekspozuar ndaj këtyre valëve jetuan më gjatë sesa ata që nuk ekspozoheshin (ndërkohë që për femrat duket se vlente e kundërta).
Sidoqoftë, rregullatorët amerikane u kanë kërkuar të gjithë prodhuesve të telefonisë celulare të dëshmojnë se pajisjet e tyre nuk lëshojnë më shumë rrezatim sesa kufiri i lejuar.
“Chicago Tribune” vendosi të kryente provat e veta, duke studiuar rrezatimet që lëshonin 11 modelet e fundit të Apple, Motorola dhe Blu dhe Samsung nga dy distanca të ndryshme, pesë milimetra dhe dy milimetra larg .
Përpara rregullatorëve, kompanitë celularë zakonisht i testojnë smartfonët nga 5 milimetra larg, por “Chicago Tribune” i testoi nga dy milimetra lart, për të kuptuar sa të dëmshme janë këto pajisje kur i mbajnë në xhep.
Nga xhepi, iPhone 7 lëshoi rrezatim katër herë më shumë sesa lejojnë udhëzimet e rregullatorëve amerikane, ndërkohë qe Galaxy S8 e thyente pesë herë kufirin ligjor.
"Kjo sugjeron fuqimisht që protokolli i testimit nga kompanitë rregullatore nuk është adekuat," thotë eksperti që ka udhëhequr këtë hetim Joel Moskowitz . "Unë nuk kam asnjë besim tek Apple dhe Samsung" tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.