Futboll

Futbolli shqiptar ne kaos, nuk ka ende një datë për rikthim

Liga Profesioniste e Futbollit pritet të përshkallëzojë protestat nëse qeveria nuk miraton kërkesat e bëra prej më shumë se një muaji për daljen nga kjo situatë e vështirë ku gjenden klubet.

Sipas vendimit të marrë edhe në mbledhjen e fundit të Ligës, ditën e shtunë skuadrat e Apolonisë dhe Kastriotit kanë dalë në fushën e stadiumit “Loni Papuçiu” të Fierit dhe i janë drejtuar qeverisë me një mesazh të lexuar nga kapitenët e të dy skuadrave. Më pas skuadrat janë kthyer në dhomat e zhveshjeve.  Protesta do të vijojë në të njëjtën formë edhe të dielën me katër çiftet e tjera të javës së tretë të Kategorisë Superiore sipas kalendarit, më konkretisht Teuta - Kukësi, Vllaznia - Tirana, Bylis - Skënderbeu dhe Partizani - Laçi.

https://www.facebook.com/102913961547033/posts/125431909295238/

Mësohet se format e protestave do të jenë nga më të ndryshmet, ku përfshihet edhe dalja e futbollistëve me uniforma në bulevardin përpara kryeministrisë në mënyrë që të tërhiqet vëmendja e të gjithë opinionit publik. Klubet i kanë paraqitur qeverisë disa kërkesa dhe më konkretisht uljen e TVSH-së në masën 6%; faljen e gjobave dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura; efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite; Ligji i sponsorizimeve është tashmë kërkesa kryesore që Liga Profesioniste e futbollit ka ndaj qeverisë. Në relacionin drejtuar kryeministrit Edi Rama propozohet që shoqëritë tregtare të kenë mundësi që deri në 30 përqind të tatimit mbi fitimin ta investojnë në sport.

Deri tani nuk janë zhvilluar 3 javët e para të Superiores dhe në rast se nuk do të ketë akord me qeverinë brenda disa ditësh, futbolli i bie që të mos luhet deri të paktën 15 tetor, pasi datat 10-14 tetor janë data të lira të FIFA-s dhe UEFA-s për ekipet kombëtare. Pritet tw shihet sesi do veprohet, por deri tani topi ka ‘’ngrirë’’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë