Sport

Fury dëmton keq syrin në stërvitje, shtyhet supersfida e 17 shkurtit me Usyk

Gazeta Si – Boksieri anglez është dëmtuar në sy gjatë stërvitjes, duke bërë që të shtyhet sërish ndeshja me ukrainasin. Duhej të zhvillohej fillimisht më 23 dhjetor kjo ndeshje, e vlefshme për unifikimin e titujve botërorë të peshave të rënda.

Kishte nisur numërimi mbrapsht, por nuk është e thënë. Ndeshja e shumëpritur mes britanikut Tyson Fury dhe ukrainasit Oleksandr Usyk, e fiksuar për më 17 shkurt në Riad, është shtyrë sërish. Lajmi është dhënë nga promotorët e eventit.

Fury mban titullin botëror WBC, kurse Usyk brezat WBA, IBF dhe WBO. I fundit për peshat e rënda që ka unifikuar titujt botërorë të federatave konkurruese që drejtojnë boksin, ka qenë britaniku Lennox Lewis në 2000-shin.

Është hera e dytë që kjo ndeshje shtyhet. Ishte programuar më 23 dhjetor, por u shty pas fitores pak bindëse me pikë të britanikut kundër yllit të MMA, Francis Ngannou, më 29 tetor.

"Më vjen keq për të gjithë ata që kanë lidhje me këtë event fantastik dhe do të punoj fort për datën e re, sapo syri im të shërohet”, - është shprehur Fury, të cilit i është dashur të bëjë disa qepje, ndaj dhe gjendja e tij nuk e lejon të respetkojë programin.

Komunikata e promotorëve është shoqëruar me një foto, ku shihet çarja e thellë e boksierit. Tyson Fury, 35 vjeç, ka 34 fitore dhe 1 barazim që nga debutimi i tij si profesionist në 2008-ën, kurse Usyk, 36 vjeç, ka 21 fitore në po kaq ndeshje si profesionist.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë