Lajme

Furnizimi me ujë i zonave turistike në Himarë dhe Orikum

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz, nënshkruan marrëveshjen për projektin 42 milionë euro për furnizimin me ujë të zonave turistike në Bashkinë Himarë dhe zonën e Orikumit.
Ky projekt, me vlerë 42 milionë euro, financohet nga Qeveria Gjermane përmes bankës KfW-së ndërsa do të bëjë të mundur realizimin e projektit që hap rrugë furnizimit me ujë të pijshëm të zonave që përfshijnë zonat bregdetare të jugut të Shqipërisë, duke u fokusuar në Bashkinë e Himarës si dhe në zonën e Orikumit.
“Zbatimi i këtij projekti do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe do të promovojë zhvillimin e turizmit në zonën e projektit, duke çuar numrin e përfituesve në 80 mijë përfshirë edhe turistët”, u shpreh Balluku.
Më tej, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, shprehu bindjen se në sajë të mbështetjes së partnerëve strategjikë, por edhe angazhimit të qeverisë shqiptare, do të bëhet e mundur që qytetarët shqiptarë, por edhe turistët e huaj që vijnë në vendin tonë, të kenë infrastrukturën dhe standardet e kërkuara.
“Fokusi ynë tanimë janë zonat bregdetare në Himarë, Orikum dhe disa pjesë të Vlorës. Ne kemi në vëmendje si popullsinë vendase ashtu edhe turistët e shumtë, që do të thotë me fjalë të tjera, se do të sigurojmë një furnizim me ujë të pijshëm, higjienikisht të sigurte, sikundër edhe një trajtim të rregullt të ujërave të ndotura”, tha ambasadorja, Susanne Schütz.
Programi “Furnizimi me ujë i zonave rurale IV” parashikon parashikon zgjidhje edhe fshatrat Kuç, Buronjë, Pilur, Kudhës, Vuno, Jalë, Livadh, Himarë, Himarë Fshat, Qeparo, Qeparo Fshat etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë