Futboll

Fundjava kuqezi/ Shkëlqen Rei Manaj, paraqitje pozitive për Uzunin ndaj Barcelonës

Gazeta Si – Fundjava që shkoi ishte sërish nën shenjën e Rei Manajt sa u takon futbollistëve të Kombëtares. Sulmuesi ka konfirmuar super formën që po kalon në kampionatin turk dhe gjithmonë e me tepër shton shanset për të qenë në listën e Silvinjos për Europianin e Gjermanisë.

Manaj realizoi një gol shumë të bukur me goditje dënimi për Sivasporin në ndeshjen ndaj Rizesporit. Ishte goli i vetëm i kësaj ndeshjeje, që i dha 3 pikë të rëndësishme skuadrës së Manajt, tashmë ylli i Sivasporit.

Një ndeshje të mirë ka bërë edhe sulmuesi tjetër, Myrto Uzuni, titullar ndaj Barcelonën në barazimin 3-3 të së dielës në mbrëmje. Sulmuesi kuqezi iu afrua disa herë golit, ndërkohë që dha asistin për golin e dytë të Granadës në këtë sfidë.

Fundjavë e mbarë ishte për dy qendërmbrojtësit titullarë të Kombëtares, Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli. Ata ishin titullarë, si zakonisht, në fitoret e skuadrave të tyre. Atalanta mundi 1-4 Xhenoan në transfertë, kurse Empoli fitoi 1-3 në fushën e Salernitanës.

Titullar ishte këtë herë edhe Elseid Hysaj. Lacio e tij fitoi 1-3 në fushën e Kaljarit. Ylber Ramadani kthehej në formacionin e Leçes pas skualifikimit, por skuadra e tij u mund thellë 4-0 nga Bolonja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë