Futboll

Fundi i një ere, Barcelona në kaos: dorëhiqet Bartomeu dhe drejtues të tjerë

“Nuk ka arsye pse të jap dorëheqjen”. Josep Maria Bartomeu tha të hënën në mbrëmje këtë fjali, por 24 orë më pas deklaroi largimin nga posti i presidentit, duke mbyllur një erë, që nisi me rezultate shumë të mira, por që u mbyll keq. Bartomeu u mundua me çdo kusht të evitonte referendumin, pas 20 mijë firmave të mbledhura për mocionin e mosbesimit ndaj tij, por nuk ia arriti qëllimit.

Përballë mundësisë për t’u bërë presidenti i parë në historinë e Barcelonës që mund të shkarkohej nga vullneti i popullit katalanas, vendosi të dorëzohet dhe dha dorëheqjen. Ai nuk hipi në avionin që ka çuar skuadrën në Torino për ndeshjen e Championsit me Juventusin dhe në mbrëmje komunikoi dorëheqjen nga posti i presidentit.

Bartomue duke shkuar në Camp Nou. Gazeta Si, 27 tetor 2020

Bartomeu e mori presidencën katalanase më 23 janar 2014, pas largimit të Sandro Rosell. Më 18 korrik 2015, pak javë pas fitimit nga Barcelona e drejtuar nga Luis Enrike të tripletës së dytë, Bartomeu u rizgjodh president me 54% të votave, përqindja më e lartë në historinë e klubit. Nga atëherë Barcelona nuk ka fituar më Champions dhe ka pasur probleme njëri pas tjetrit.

Në 2020-ën situata precipitoi brenda dhe jashtë fushe. Shkarkimi absurd i Valverdes, i zëvendësuar nga Kike Setien pas “jo”-së së Ksavit dhe Koeman, “Barçagate” me lojtarët e spiunuar nga një kompani e paguar me një çmim të lartë nga vetë klubi, titulli i humbur, humbja 8-2 me Bajernin, “burofax”-i i Mesit që deshi të largohej dhe mocioni i mosbesimit. Një peshë shumë e rëndë për Bartomeun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë