Politike

Ftesat e Ramës, Berisha: Nuk besoj se Basha ulet për dialog

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar pasardhësin e tij Edi Rama në lidhje me letrat e dërguara nga ana e tij për kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Pavarësisht se është një përpjekje për të zgjidhur krizën, ai ka thënë se kjo është një metodë e partive marksiste-leliniste dhe që ato duhen hedhur në koshin e mbeturinave.

“Duke lexuar dy letrat e tij, ju do të gjeni se ai është i vetmi shqiptar sot mbi tokë që nuk ndjen asnjë përgjegjësi për krizën e krijuar, që gjithçka e projekton tek kundërshtari. Asnjë njeri nuk mendon se ai nuk ka përgjegjësi. Çdo njeri normal e ka të qartë fundja e bandave në proces zgjedhor. Duke shkruar letër të nxjerrësh vrer tek kundërshtari. Së dyti, ai i shpall luftë popullit opozitar. Ai e tregon veten një trashëgimtar primitiv të etërve politikë, kur thotë se kundërshtari duhet të zhduket”, - ka thënë ai i ftuar në studion e emisionit “Opinion”.

Berisha ka theksuar se është e papranueshme që një kryeministër të zhdukë opozitën e vendit të tij. Sipas tij, ky është një kocept primitiv që përdoret në vendet komuniste. Në lidhje me një dialog të mundshëm mes Ramës dhe Bashës, ish-kryeministri u duk skeptik. “Jo, nuk besoj se Basha ulet! Opozita e do marrëveshjen. Nuk e ka luftë për pushtet. E ka për zgjedhje të lira. Opozita nuk mund ta përjashtojë Edi Ramën si kryetar të Partisë Socialiste. Nuk kërkon të shuhet Partia Socialiste pavarësisht inkriminimit. Unë po them të vërtetën që është shumë e mundshme që të ketë përplasje civile. Kemi një qëndrim armiqësor. Ai u gëzua kur doli opozita”.

Berisha edhe njëherë theksoi se në 30 qershor nëse nuk arrihet një marrëveshje mund të ketë përplasje. “Opozita nuk mundet kurrë të tërhiqet nga beteja e saj për votën e lirë, ne nuk po kërkojmë pushtet që Avdylët të mos ndikojnë votat e shqiptarëve”.

Ai tha se nuk kishte asnjë ndikim mbi Bashën në lidhje me vendimin për djegien e mandateve, ndërsa theksoi se e mbështeste këtë vendim. Ndërkohë, Berisha ka sulmuar ashpër ambasadorin e OSBE, duke e akuzuar si të lidhur kokë e këmbë me Ramën.

“Tani ambasadori Borchardt ka ardhur në Shqipëri pas një letre që opozita i ka bërë sekretarit të përgjithshëm të OSBE që ka kundërshtuar emërimin e tij. Duke e konsideruar ambasadorin si një njeri të lidhur këmbë e kokë me Ramën, për këtë arsye e kemi bërë letrën. Mendoj se ambasadori i cili erdhi i takonte të dëshmonte paanësi, të dëshmonte paanësi në qëndrimet e tij në mënyrë që të fitonte dhe besimin e opozitës. Por po u jap një shembull, që një periudhë para një muaji ndodhi që në tre javë 7 gazetarë u agresuan. Njeriu i parë që duhet të reagonte është ambasadori Borchardt. Të mbronte gazetarët, OSBE ka një komisar të veçantë për mediat. Tani e bëri ky, për miqësinë që ka ndaj Ramës, por kjo nuk i bëri mirë për demokracinë. Ka një problem madhor, u bë një akt deklaratë dhe pas 10 minutash u hoq ajo dhe doli tjetër. Opozita ka të drejtë të dyshojë, ishte deklaratë e kryeministrit ajo”, theksoi Berisha.

Berisha i ka kthyer përgjigje të gjithë atyre që ngritën pikëpyetjet për refuzimin e vizës së tij nga SHBA-ja. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama si gënjeshtar. “Absolutisht e kam vizën amerikane. Mos besoni gënjeshtrat e Edi Ramës. Asnjëherë nuk më është refuzuar viza nga Amerika”, - tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë