Analize

Ftesa me e hile nga britanikët për emigrantët shqiptarë

Nga Sorgena Leka- “Për herë të parë që kur ka filluar regjistrimi, në maj të këtij viti (2022), në Britani kishte më shumë vende të lira pune sesa të papunë, sipas shifrave zyrtare të punës. Kriza e  punëtorëve ishte më e madhe në hoteleri,  por mungesa kishte në çdo sektor”. Kështu shkroi ‘The Sunday Times’ në qershor të këtij viti duke shtuar se Britania ishte në një krizë force punëtore me 1.3 milionë vende të lira pune.

“Tkurrja e fuqisë punëtore është problemi më urgjent me të cilin përballet ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar dhe ky është një problem specifik vetëm në vendin tonë pasi kemi rënien më të madhe të punësimit pas pandemisë nga çdo vend i G7", tha në qershor gazetari Chris Giles në Financial Times.

“Është një periudhë makthi për punëdhënësit. Jo vetëm që nuk janë në gjendje të marrin stafin me aftësitë që u nevojiten por u duhet gjithashtu të mbyllin sytë ndaj standarteve më të ulëta”, tha gazetari Tom Calver në The Sunday Times duke shtuar edhe se Britania nuk po bënte asnjë përpjekje për të joshur forcën punëtore.

Në qershor filloi “eksodi” i shqiptarëve në Britani dhe ndoshta “joshja për forcën punëtore” ishin lehtësirat për të kaluar kanalin duke qenë edhe se mund të jenë perfekt për “standardet e ulëta të punëdhënësve”.

“Miku im shqiptar mund të ketë të drejtë kur thotë se dembelizmi është sëmundje britanike. Ne duam të bëjmë çfarë të duam dhe nëse nuk e bëjmë dot, presim që njerëz të tjerë të na paguajnë pa bërë asgjë. Dhe me ‘njerëz të tjerë’ nënkupton personat që paguajnë taksa”, tha për Express prezantuesi James Whale i cili kishte takuar një shqiptar që punonte në Britani.

Ndërkohë, duke përfaqësuar qytetarët e Shqipërisë, miku i tij i tha se nëse i duheshin më tepër para, ai dilte dhe punonte më shumë dhe nëse nuk paguante dot faturat, gjente një punë tjetër në vend që të kërkonte nga shteti.

Ndryshe nga para disa vitesh kur rrugëtimi për në Britani shihej si “rraskapitës dhe aspak i sigurt”, këtë vit rrugëtimi ishte i sigurt dhe i lehtë.

“Kemi shkuar në Francë si turistë ku kemi qëndruar në një hotel. Më pas jemi nisur për në Britani ku na priste policia për të na dërguar në hotel. Atje na merrnin vetëm emrat dhe na linin të lirë. Ishte si një udhëtim turistik”, ka treguar për Gazetasi.al në qershor një nga personat që ka shkuar në Britani.

Sipas zyrës për statistikat kombëtare të Britanisë, nga korriku deri në shtator 2022, numri i vendeve të lira të punës ra me 46.000 ndërkohë që deri më 9 nëntor 2022, numri i shqiptarëve që kishin arritur në Britani ishte 12 mijë nga 33 mijë persona që kaluan Kanalin.

Dhe, ndryshe nga “mikpritja” në qershor, Britania ndryshoi faqe disa muaj më vonë.

Në nëntor, BBC mori në intervistë një emigrant shqiptar që u dëbua nga vendi sapo mbërriti.

“Sapo mbërrita më dhanë një qese plastike me gjërat e mia dhe më thanë se nesër në mëngjes do të mbërrij në Tiranë”, ka thënë Artani, duke shtuar se udhëtimi ishte i tmerrshëm.

“Trafikantët ishin të armatosur me thika dhe pistoleta. Ato na thonin të mos filmonim e as mos të ndiznim cigare sepse drita e saj na rrezikonte”, ka thënë Artani.

Rrëfimi i Artanit ka ardhur disa ditë pas deklaratës së bujshme të Suella Braverman, sekretarja e brendshme britanike e cila tha se vendi është pushtuar nga emigrantët që kalojnë kanalin dhe që shumica prej tyre janë kriminelë, një deklaratë që u komentua jo pak. Ndër personat që komentoi këtë deklaratë ishte edhe Kryeministri Rama i cili tha se “vënia në shënjestër e shqiptarëve si shkaku i krimit të Britanisë dhe problemeve kufitare e bën retorikën e lehtë, por injoron faktet e vështira”.

Ai gjithashtu shpërndau në rrjetet sociale edhe video të futbollistit Armando Broja duke e cilësuar si shembull të emigrantëve shqiptarë që kanë punuar në Britani dhe kanë arritur majat.

“Turp për këdo që veçon komunitetin tonë të madh atje”, shkroi Rama.

Duke folur për BBC, Rama tha se shqiptarët thjesht po bëhen kokë turku.

Menjëherë pas reagimit të Ramës erdhi edhe reagimi i kryeministrit Rishi Sunak i cili përmes zëdhënëses së tij tha se “ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku me ta. Ne duam të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi me partnerët ndërkombëtarë për të thyer modelin e biznesit të emigrantëve të paligjshëm dhe ne i jemi mirënjohës Shqipërisë për punën e tyre me ne për këtë”.

Së fundmi, The Guardian ka bërë një artikull duke thënë se “Britania po mban në hotele dhe kampe emigrantë, duke i bërë që të pendohen që kanë ardhur ndërkohë që vendi përsëri ka shumë nevojë për forcë punëtore dhe kjo është shenjë e një shteti të çmendur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë