Njerez

Emigranti shqiptar që u dëbua nga Britania: Do të doja të mos e kisha provuar kurrë të hyja ilegalisht

"Unë nuk kërkova azil, u thashë se jam emigrant për arsye ekonomike", tha Artani. “Na dhanë qese plastike me gjërat tona, më thanë nesër në mëngjes do të mbërrish në Tiranë”.

Ndryshe nga shumë shqiptarë të tjerë që kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla, ai u dërgua shpejt në shtëpi me një fluturim dëbimi.

Ai u kishte paguar kontrabandistëve kurdë rreth 3500 paund për udhëtimin e rrezikshëm nëpër Kanalin Anglez, duke marrë hua paratë nga miqtë dhe familja.

Artani, një djalë rreth 30 vjeç, u takua me gazetarët e BBC në një periferi industriale të Tiranës. Ky nuk është emri i tij i vërtetë pasi ai ka frikë nga personat që ka marrë borxh.

"Trafikantët ishin të armatosur me thika dhe pistoleta. Ata na kërcënonin vazhdimisht, duke thënë që të mos filmonim asgjë dhe as të mos pinim cigare pasi drita na rrezikonte”.

Largimi nga Shqipëria, veçanërisht për në Britaninë e Madhe apo Gjermani, është një aspiratë e përbashkët e shumë të rinjve këtu. Më shumë se 12,000 shqiptarë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe me varka të vogla këtë vit, grupi më i madh i emigrantëve që përpiqen të hyjnë në vend në këtë mënyrë. Mesatarisht më shumë se gjysmës së shqiptarëve u jepet azil.

“Udhëtimi përtej Kanalit ishte torturë”, kujton Artani. Ishte ftohtë, stuhi dhe tepër e frikshme.

"Një varkë e policisë franceze u shfaq në udhëtimin tonë. Ata na shoqëruan nga një distancë ndoshta 200 metra, vetëm duke vëzhguar, gjë që na siguroi. Ata qëndruan për tre orë, ndoshta më shumë. Më pas kaluam në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar dhe thirrëm policinë britanike".

Artani kujton se si autoritetet britanike i ndihmuan të dilnin të sigurt në breg.

"Ata na thanë se po vinin për të na marrë, se nuk duhet të na zërë paniku. Ata u sollën mirë dhe u dukën shumë mikpritës dhe të sjellshëm. Ne u hodhëm në varkën e policisë në Mbretërinë e Bashkuar ku morëm jelekët e shpëtimit".

Ashtu si mijëra të tjerë që kanë kaluar Kanalin me varka të vogla këtë vit, ai përfundoi në qendrën e pritjes Manston në Kent.

Në kulmin e kalimit të anijeve të vogla në tetor, 4,000 njerëz po strehoheshin në një vend ku maksimumi i personave që mund të strehoheshin është 1600. Shifrat ishin aq të larta sa Sekretarja e Brendshme Suella Braverman denoncoi ardhjen e emigrantëve që kalojnë Kanalin si një "pushtim".

Artani tha se nuk e quan këtë si një pushtim dhe as nuk e fsheh arsyen pse ka udhëtuar për më Britani.

"I thashë gruas që më intervistonte: "E di që kam hyrë ilegalisht, por nuk kam ardhur për qejf. Kam ardhur se dua të punoj. Nuk kam kërkuar azil".

Artani regjistroi video teksa kalonte Kanalin Anglez me një gomone të vogël.

Ai kujton se u tha se është një emigrant për arsye ekonomike.

“U thashë se babi im është invalid dhe prej 15 vitesh ai jeton me pensionin e një invalidi që nuk mjafton as për të blerë ilaçet”.

Artani tha se e dinte se nëse hyn në një vend të huaj pa dokumentacionin e rregullt, sigurisht që po hyn ilegalisht”.

Shumica e shqiptarëve që gazetarët e BBC kanë takuar në Shqipëri ankohen se rrugët ligjore të hyrjes në Britani janë shumë të vështira.

"Po ka rrugë ligjore, por unë nxitova. Shkova për mënyrën më të shpejtë dhe më të lirë. Kisha nevojë për ndihmë me aplikimin dhe njerëzit paguajnë më shumë për këtë sesa udhëtimin me gomone", thotë Artani.

Një nga arsyet pse Artani u deportua ishte se ai ishte i sinqertë për arsyet e tij të udhëtimit në Britani. Ai nuk u përpoq të kërkonte azil por këmbënguli se ishte atje për të punuar.

Artani kujton se e ka kuptuar menjëherë se do e kthenin në shtëpi.

"Na nxorën jashtë të rrethuar nga policia. Në atë moment isha aq i mërzitur sa nuk mund ta përshkruaj. Ndjeva se truri po më shpërthente dhe nuk mund të bëja asgjë".

Artani pranon se ka shkelur ligjin e Mbretërisë së Bashkuar dhe kjo ishte arsyeja pse ai u dëbua. Përveç fluturimit në shtëpi, atij tani i është ndaluar hyrja në vendet e tjera europiane për tre vitet e ardhshme.

“Kam qarë gjatë gjithë udhëtimit, që nga momenti që hipa në atë autobus dhe kuptova se po më dëbonin, deri sa mbërrita në Shqipëri”.

Çështja e kalimeve me varka të vogla ka çuar në debate të forta në Britani, me disa që pretendojnë se problemi është mbivlerësuar, ndërsa të tjerë mendojnë se është një krizë e plotë.

E vetmja gjë për të cilën pothuajse të gjithë bien dakord, është se të vetmit njerëz që përfitojnë realisht janë bandat e kontrabandës, që nxjerrin fitime të mëdha nga rrezikimi i jetës të të tjerëve.

Artani tani është kthyer me mijëra paund borxh dhe është penduar pse ka shkuar.

Ai tani beson se kushdo tjetër që mendon për një udhëtim të tillë do të ishte më mirë të mos largohej fare.

"Ishte një terror i paimagjinueshëm. U them të gjithëve që mos të zgjedhin gomonen. Nëse ka një rrugë ligjore, me vizë, atëherë po largohuni, por mos mendoni kurrë të largoheni ilegalisht”, përfundon Artani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë