Njerez

“Dembelizmi është sëmundje britanike më tha taksisti im shqiptar…”

Nga James Whale- Mbrëmjen e kaluar pata një pasqyrim të plotë se si është Shqipëria. E gjeta veten në pjesën e pasme të një taksie të drejtuar nga një djalë absolutisht simpatik, i cili kishte jetuar në Britani me familjen e tij dhe kishte punuar shumë për 10 vitet e fundit. Ai ishte nga Shqipëria.

Ne filluam një bisedë shumë interesante duke folur për arsyen pse ai kishte ardhur në Britani. Ishte sepse kishte shumë punë. Ai më tha se ky është një vend ku nëse punon shumë, shpërblehesh. Diskutimi u kthye tek ekonomia, për të cilën kaq shumë njerëz po thonë se është në një gjendje të tmerrshme. Interesante ishte se miku im i ri nga Shqipëria nuk e shikonte kështu.

Ai tha se nëse i duheshin më shumë para, ai dilte jashtë vendit dhe punonte pak më shumë. Dhe nëse ai nuk mund të paguante faturat e tij, në vend që të kërkonte nga shteti, ai mund të gjente një punë tjetër, të punonte shumë dhe të siguronte jetesën për familjen e tij.

"Cili është problemi më i madh me ne britanikët?", e pyeta unë. Ai më tha paraprakisht se nuk donte të më ofendonte mua apo bashkatdhetarët e mi, por përmendi dy probleme kryesore. E para ishte mungesa e respektit nga të rinjtë dhe e dyta ishte dembelizmi.

Përsa i përket çështjes së respektit, ai tregoi se shumë herë kishte marrë në taksi familje ku ka vënë re një mungesë të theksuar respekti të të rinjve ndaj prindërve apo gjyshërve.

Ai më tha se në shumë vende ka një rregull që i riu dëgjon të vjetrin ndërkohë që në Britani ndodh e kundërta.

Ndërsa përsa i përket dembelizmit, ai tha se ne duam të bëjmë vetëm atë që duam dhe nëse nuk mundemi, presim që njerëz të tjerë të na paguajnë pa bërë asgjë.

Njerëzit e tjerë, natyrisht, jemi ne që punojmë dhe paguajmë taksa.

Unë kam shumë miq në biznesin e kateringut dhe më thonë se është bërë thuajse e pamundur të marrësh staf për të punuar si kamarier ose në kuzhinë. Është një punë që shumë britanikë mendojnë se nuk është për ta.

Kështu që miku im i ri shqiptar mund të ketë të drejtë në atë që thotë. Të gjithë mund të mësojmë nga kritika, apo jo? Ai gjithashtu tha se ishte i inatosur me të gjithë bashkëatdhetarët e tij që vinin në Britani dhe përfshiheshin në botën e krimit dhe më pas ai kërkoi falje në emrin e tyre.

Ishte një udhëtim me taksi që më çoi në një udhëtim drejt një mendimi të ri për Shqipërinë... dhe neve.

*James Whale është prezantues dhe autor programesh në Britani.

Burimi: Express. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë