Futboll

FSHF shtyn për herë të dytë rifillimin e kampionateve inferiore

Rifillimi i kampionateve të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë varet nga kushtet e motit. Fundjava që vjen parashikohet të shoqërohet me shira dhe kështu Federata Shqiptare e Futbollit e ka shtyrë përsëri rifillimin e këtyre kampionateve.

“FSHF bën me dije se rifillimi i aktivitetit të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë do të shtyhet sërish. Vendimi është marrë për shkak të reshjeve të shiut që parashikohen në fundjavë dhe që mund të krijojnë problematika të mëdha në infrastrukturën e shumë skuadrave. Sektori i Garave ka planifikuar që rifillimi i ndeshjeve në këto kategori të ndodhë më 6 shkurt 2021”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të FSHF-së.

Stadiumi i Vlorës gjatë një ndeshjeje në kohë me shi. Gazeta Si, 25 janar 2021

Kjo është hera e dytë që shtyhet rinisja e kampionateve të kategorive inferiore, ndërsa arsyeja është e njëjtë: kushtet e këqija atmosferike. Shumë stadiume, veçanërisht ata të Kategorisë së Dytë, kanë probleme me infrastrukturë sportive, por shtyrja mund të sjellë ngjeshjen e ndeshjeve në vazhdim, aq më tepër që kampionatet kanë nisur me vonesë për shkak të bojkotit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë