Lajme

FSHF shet bileta me detyrim për Andorrën, Braçe: Për ata ‘futbolli s’është për hallexhinj’

Numri dy i qeverisë, Erjon Braçe ka reaguar ndaj formulës që po përdor Federata Shqiptare e Futbollit duke i detyruar tifozët që përveç biletave të ndeshjes Shqipëri-Francë që luhet me 17 nëntor në stadiumin e ri “Arena Kombëtare” të blejnë edhe ato për ndeshjen tjetër Shqipëri-Andorrë që luhet në Elbasan. Duke ironizuar FSHF-në për detyrimin që u bëjnë tifozëve, Braçe nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shkruan se futbolli për ata (drejtuesit e FSHF-së) s’është për hallexhinj. “A i bletë biletat për Francës? “Me të futur” apo si? Mos harroni, për ata “futbolli s’është për hallexhinj”!,”-shkruan Braçe.

Statusi në rrjetet sociale të zv.kryeministrit Erjon Braçe në rrjetet sociale. Gazeta Si, 3 nëntor 2019

Takimi Shqipëri-Francë pritet me interes për faktin parashikohet që të inaugurohet “Arena Kombëtare”. Në këtë eveniment pritet të jenë të pranishëm edhe presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama.
Çmimet për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Francë variojnë nga 1.500 lekë, 2.000 lekë, 3.000 lekë, 4.000 lekë dhe 5.000 lekë. Ndërsa për ndeshjen tjetër që zhvillohet në Elbasan Arena çmimet janë më të ulëta.

Biletat për ndeshjen Shqipëri-Andorrë. Gazeta Si, 3 nëntor 2019

Fillimisht për të testuar fushën e re të Arenës Kombëtare ishte parashikuar që sot më 3 nëntor të zhvillohej ndeshja e kampionatit të femrave, Vllaznia-Apolonia. Por për shkak se punimet ende vazhdojnë, FSHF-ja ka bërë të ditur se ajo do të shtyhet për javën e ardhshme më 10 nëntor.
“Duke qenë se është kryer një rimbjellje e fushës për periudhën e dimrit, pas konsultave me kompaninë greke e cila ka kryer shtrimin dhe mirëmbajtjen e tapetit të fushës, u vendos së bashku me zbatuesin që ndeshja të spostohet për të pasur një fushë në gjendje optimale në prag të ndeshjes inauguruese që do të zhvillohet më datë 17 Nëntor, kundër Francës. Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se biletat e shpërndara për ndeshjen testuese mund të përdoren në datë 10 Nëntor”, thuhet në reagimin e FSHF-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë