Futboll

FSHF propozoi ndërtimin e 100 fushave të futbollit, Ministria refuzon projektin

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka refuzuar propozimin e FSHF-së për ndërtimin e 100 fushave të futbollit në të gjithë vendin. Mësohet se FSHF ka dorëzuar kërkesën prej 10 muajsh (shtator 2019) për mbështetjen e projektit të 100 fushave. Pas heshtjes disamujore, federata i ka dërguar sërish në muajin shkurt një kërkesë të dytë për iniciativën në fjalë, por edhe këtë herë asnjë përgjigje. Pas kërkesës së tretë në muajin qershor, mësohet se përgjigjja e ardhur nuk ishte ajo që pritej.

Ministria e Sporteve e ka refuzuar propozimin e federatës me argumentin se nuk ka fonde për të financuar këtë projekt, pasi buxheti në dispozicion është fare i vogël. Ndërkohë që 61 bashkitë e vendit e kanë aprovuar këtë projekt, qeveria, nëpërmjet ministres Shahini, refuzon që të bëhet pjesë. Kjo iniciativë synon një ndërhyrje themelore infrastrukturore dhe mund t’i japë një nxitje të ndjeshme futbollit të fëmijëve.

Një projekt që parashikon ndërtimin përmes bashkëfinancimit të fushave me bar natyral në të gjithë territorin e vendit nga FSHF, qeveria dhe pushteti vendor. Gjatë 30 viteve të fundit shumë fusha futbolli janë shkatërruar apo kanë ndryshuar destinacion. Nëse situata nuk ndryshon e ardhmja e futbollit të bazës është seriozisht e rrezikuar. Nevojitet një ndërhyrje emergjente me politika zhvillimore veçanërisht në drejtim të investimeve për krijimin e terreneve të reja sportive në mënyrë që talentet e të ardhmes të kenë mbështetjen e duhur infrastrukturore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë