Futboll

FSHF pranon kërkesën e Ligës, Superiorja shtyhet pa afat

Ishte diçka e pritshme shtyrja e Superiores, një formalitet. FSHF-ja, me anë të Komitetit Ekzekutiv të saj, ka miratuar kërkesën e Ligës Profesioniste të Futbollit për shtyrjen e kampionatit. Shtyrja është bërë për një afat të pacaktuar dhe tashmë merr formë zyrtare bojkoti i klubeve të futbollit, prej kohësh në “luftë” me qeverinë për ligjin për sportin dhe disa pika të tjera.

“Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, pasi u njoh me kërkesën e paraqitur nga Liga Profesioniste për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, vendosi ta miratojë atë. Shtyrja e datës së fillimit të sezonit 2020/2021 është me afat të pacaktuar. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, – shkruhet në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Liga Profesioniste të Futbollit i ka bërë një kërkesë qeverisë kohë më parë, duke i parashtruar disa pika që duhen plotësuar, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim, ndaj dhe është zgjedhur rruga e bojkotit. Një formë presioni ndaj qeverisë, që mbetet për t’u parë se sa do të ketë efekt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë