Futboll

FSHF nis hetim për Bylis-Tirana, paralajmëron masa ekstreme

Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur një hetim për ndeshjen Bylis-Tirana, e bombarduar me akuza të forta për një rezultat të paracaktuar. Akuzat shpërthyen pas pjesës së parë të ndeshjes në fjalë, kur rrjetet sociale u mbushën me lajmin se do të fitonte Bylisi me përmbysje. Kështu ndodhi dhe më pas akuzat u shtuan me reagime nga më të ndryshmet.

FSHF ka bërë edhe më parë hetime të tilla nëpërmjet Komisionit të Etikës, që aktualisht nuk ekziston më. Dënimet në ndeshjet që janë hetur më parë kanë qenë individuale, për lojtarë të caktuar, sa për të thënë. Dënime për ekipet deri tani nuk ka pasur, ndërsa në njoftimin e sotëm të FSHF-së për hetimin e ndeshjes Bylis-Tirana paralajmërohen masa të forta, nëse dyshimet konfirmohen. Tani pritet vendimi i FSHF-së, nëse vërtet do ta luftojë fenomenin, apo do ta kalojë si më parë.

Njoftimi i FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit njofton median dhe opinionin sportiv, se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Bylis–Tirana (2-1), e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ka kërkuar informacion nga kompania “Sport Radar” nëpërmjet UEFA-s për të mësuar nëse ka pasur baste të dyshimta për këtë takim.

Federata bën me dije se ka nisur hetimin për këtë çështje dhe po grumbullon materialet e nevojshme dhe do te ketë vendimarrje, në rast se do të ketë prova. Gjithashtu, FSHF prej kohësh e ka bërë të qartë qëndrimin e saj të prerë kundër këtij fenomeni tejet të dëmshëm për futbollin dhe paralajmëron edhe një herë klubet se do të përballen me masa të rrepta dhe sanksione ekstreme, deri në përjashtim nga aktiviteti, në rastet kur akuzat për trukim do të provohen.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë