Futboll

FSHF nis hetim për Bylis-Tirana, dëshmojnë Kapllanaj, Lici dhe gjyqtarët, “bojkoton” Tirana

Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur një hetim për ndeshjen Bylis-Tirana, e bombarduar me akuza të forta për një rezultat të paracaktuar. Akuzat shpërthyen pas pjesës së parë të ndeshjes në fjalë, kur rrjetet sociale u mbushën me lajmin se do të fitonte Bylisi me përmbysje. Kështu ndodhi dhe më pas akuzat u shtuan me reagime nga më të ndryshmet.

Në zyrat e FSHF-ës, në sektorin e Komisionit të Etikës, janë paraqitur disa nga protagonistët më të rëndësishëm të atij takimi, duke nisur nga gjyqtari i takimit Juxhin Xhaja, gjyqtari i katërt dhe delegatët e këtij takimi, ku kanë rrëfyer të parët se çfarë kanë parë për ato 90 minuta. I radhës që u paraqit në zyrat e FSHF-ës ishte administratori i Vllaznisë, Suad Lici i cili pak ditë më parë akuzoj publikisht presidentin e Bylis, Besnik Kapllanaj se kishte ndikim tek gjyqtarët.

Klubi ballshiot u përfaqësua me presidentin Besnik Kapllanaj. Së bashku me të ishin edhe trajneri Veljko Dovedan dhe mbrojtësi Jurgen Goxha. Pasi dëshmoi përpara komisionit, kreu i klubit ballshiot, u shpreh. “Nuk mendoj se kishim ndonjë gjë për tu mbrojtur. U pyetëm dhe dhamë shpjegimin tonë. Shpjegimi ishte atje dhe mund ti merrni atje. Ne jemi të pastër, të hapur, jo vetëm sot, por gjithmonë. Nga fillimi i kampionatit dhe deri tani nuk mund të baltosemi, pasi kemi bërë një kampionat dinjitoz dhe nuk duhet të hidhet baltë mbi ne. Bylisi nuk është Reali Madridit dhe mund ta kontrollojë një ndeshje si të dojë. Kemi vetëm një ëndërr, fitimin e Kupës. Mendoj se do e arrijmë. Ju e dini shumë mirë që kam luftuar shumë për këtë skuadër.”.

Përsa i përket akuzave të Licit, ai u përgjigj: “Është njeri me dy fytyra, pasi para ndeshjes atë ditë më ftoi për drekë. Më pas, kur kishte një debat në studio, kishte thënë gjëra të turpshme në drejtimin tim. Shyqyr që nuk tha që e vendosa unë bombën. Ai të shikojë punën e tij, Bylisi ka lënë 9 pikë me Flamurtarin, ato që ata i morën. Kemi luajtur futboll dhe do e bëjmë deri në fund”.

Munguan në këtë raund të parë përfaqësues të klubit të Tiranës. Motivi? “Nuk na ka ardhur njoftimi në email., Në fakt njoftimin e kishin marrë po në adresën e vjetër, sipas tyre, dhe jo atë të renë. Seanca dëgjimore për bardheblutë është shtyrë për ditën e martë të javës tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë