Rend dhe Ligj

Fshesë te policët e burgjeve. Ligji i ri do të heqë ata mbi 50 vjeç

Bledar Hoti - Qeveria do të miratojë një ligj të ri “Për Policinë e Burgjeve”, duke paralajmëruar largime të punonjësve të saj. Drafti i hartuar nga Ministria e Drejtësisë parashikon largime dhe rifreksim të stafit të policisë, por edhe përcaktimin e kategorive të rekrutimit dhe të trajtimit më të mirë të tyre.
Kështu do të ketë largime të atyre punonjësve të Policisë së Burgjeve që janë në moshën mbi 50 vjeç për faktin se nuk u përgjigjen kërkesave të punës. Në relacionin e siguruar nga Gazeta “Si” bëhet e ditur se “problematikat lidhen së pari me nivelin jo të kënaqshëm të performancës së punonjësve të policisë së burgjeve, që lidhet me rekrutimin, trajtimin ekonomik e financiar, kualifikimin, promovimin dhe mbështetjen e tyre. Menaxhimi i deritanishëm, nuk garanton një balancë, ndërmjet kërkesave për përmirësimin e shërbimit publik dhe respektimit të të drejtave të punonjësve”.
Shqipëria ka 24 institucione të zbatimit të vendimeve penale, Burgje, të shpërndarë nga veriu në jug dhe në disa raste shumë larg qendrave urbane, me kapacitete të ndryshme, në të cilët trajtohen persona me rrezikshmëri të lartë për komunitetin dhe rendin publik.
“Procedurat aktuale dhe situata në të cilën ndodhen punonjësit e policisë së burgjeve, ka sjellë vështirësi në rekrutimin e punonjësve cilësor dhe prezencën e një numri të konsiderueshëm të punonjësve me moshë mbi 55 vjeç, gjë që sjell vështirësi në kryerjen e detyrave që kanë lodhje fizike. Numri i punonjësve të policisë së burgjeve, mbi 50 vjeç është 24.7%”, thuhet në relacionin që shoqëron këtë projektligj. Nga 3559 gardianë pritet të ketë largime të rreth 900 punonjësve të Policisë të Burgjeve.

Drafti për Policinë e Burgjeve


Si do të veprohet
Drafti që disponohet nga Gazeta “Si” parashikon dispozita të veçanta se si do të trajtohen këta punonjës që pritet të dalin në lirim. Sipas nenit 56 të projektligjit përcaktohet se Punonjësi i Policisë së Burgjeve, kur lirohet nga detyra, përfiton: pagesë kalimtare; pension të parakohshëm suplementar; pension shërbimi; pension suplementar pleqërie. vjetërsi në punë.
“Trajtimi financiar pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës, sipas rasteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, bëhet në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në pikën dy të këtij drafti. Gjithashtu është parashikuar që punonjësi i Policisë së Burgjeve, që gjendet në pagesë kalimtare dhe që plotëson kushtet e kriteret për të vazhduar karrierën policore, nëse është liruar nga detyra për shkak të riorganizimit, në çdo rast ka përparësi për t'u rikthyer në shërbim. Për t’u bërë gardianë të burgut do t’i hapat rruga edhe punonjësve të policisë apo dhe ushtarakëve. “Kanë përparësi për pranim në Policinë e Burgjeve shtetasit që kanë përvojë pune në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës, Forcat e Armatosura”, thuhet në pikën 2 të nenit 57 të projektligjit.


Statusi, përfitimet dhe paga
Punonjësi i Policisë së Burgjeve, sipas nenit 17 të draftit, do të ketë përparësi në trajtimin financiar, ku përfshihen: paga mujore, e cila përbëhet nga paga për gradë, shtesë për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe shtesë për natyrë të veçantë pune; kompensimi për privacionet që i krijohen punonjësit të policisë së burgjeve për largësi nga vendbanimi, sipas kostos së transportit publik, strehimin dhe paga për papunësinë e bashkëshortit/es; trajtimi me ushqim për punonjësit e Policisë së Burgjeve; ndihma e menjëhershme financiare në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, sipas akteve të vlerësimit të dëmit. e) ndihma e menjëhershme financiare në rastet e sëmundjeje të rëndë akute; ndihma financiare në rast sëmundjeje të rëndë kronike.
Procedurat e trajtimit financiar gjatë qëndrimit në punë të punonjësit të Policisë së Burgjeve, do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për aq sa nuk është e parashikuar në këtë ligj, punonjësit e Policisë së Burgjeve, kanë të drejtën e përfitimit sipas legjislacionit në fuqi për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë.

Burgu i ri i Reçit


Kur punonjësi i policisë humb jetën në krye apo për shkak të detyrës, pjesëtarët e familjes përfitojnë trajtim ekonomik e financiar, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve. Gjithashtu është menduar që të krijohet mundësia e përfitimit të kompensimit të interesave të kredisë për strehim, me një interes mbi masën 3 për qind.
Punonjësi i Policisë së Burgjeve ka të drejtën e pjesëmarrjes në sindikata që kanë për qëllim mbrojtjen e interesave të tyre në marrëdhënien e punës, por nuk mund të organizojnë greva.
Marrëdhëniet ndërmjet sindikatave dhe punonjësve të Policisë së Burgjeve, rregullohen nëpërmjet statutit të Sindikatës dhe Kartës të së drejtave dhe detyrimeve që pranon çdo punonjës i Policisë së Burgjeve kur anëtarësohet. Të drejtat minimale të punonjësve të Policisë së Burgjeve rregullohen nëpërmjet kontratës kolektive të lidhur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe sindikatave përkatëse.
Pranimi në Policinë e Burgjeve bëhet nëpërmjet një konkurrimi të hapur, që bazohet në vlerësimin e aftësive profesionale të kandidatëve nëpërmjet një konkurrimi kombëtar, që përfshin një testim të shkruar, një testim me gojë dhe çdo formë tjetër të përshtatshme të verifikimit të aftësive, si dhe vlerësimin e aftësive fizike dhe profesionale të kandidatit.

Sipas nenit 30 të draftit, ka të drejtë të konkurrojë për t'u pranuar në Policinë e Burgjeve çdo person, që plotëson kriteret e mëposhtme: a) është shtetas shqiptar; b) ka zotësi të plotë për të vepruar; c) është në kushte shëndetësore dhe fizike që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse; d) ka mbaruar arsimin e mesëm; e) nuk është dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë për një krim; f) është person me figurë të pastër morale dhe me integritet shoqëror; g) të mos jetë larguar nga puna për shkelje të disiplinës; h) të mos jetë larguar nga institucione të tjera të sigurisë për veprime që cenojnë figurën e punonjësit të institucionit, apo për arsye që kanë të bëjnë përfitime financiare të jashtëligjshme; i) të jetë nën moshën 35 vjeç.
Një kriter tjerë është që të mos jetë larguar nga Policia e Shtetit për shkak të vlerësimeve kalimtare, ose periodike të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Punonjësit e rolit bazë dhe të mesëm emërohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve mbi bazën e propozimit me shkrim të Drejtorit të Policisë së Burgjeve. Punonjësit e rolit të lartë drejtues emërohen nga Ministri i Drejtësisë, bazuar në propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë