Lajme

Fshehu dënimin, thirret në prokurori ish-gjyqtari Admir Thanza

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje për më shumë se dy orë ish-gjyqtarin Admir Thanza, i cili akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

Kjo akuzë lidhet me faktin e zbuluar gjatë procesit të vettingut, ku rezultoi se gjyqtari Thanza nuk kishte deklaruar një dënim penal që kishte marrë në Itali në vitin 1999 për akuzën e vjedhjes. Këtë dënim Admir Thanza e kishte marrë kur ishte gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës dhe pavarësisht këtij dënimi ai ka vazhduar për 22 vite karrierën e tij në Shqipëri duke u zgjedhur deri në shkallët më të larta të drejtësisë në vend, në Gjykatën Kushtetuese.

Ky dënim nuk ka kaluar në heshtje gjatë procesit të vettingut, ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) konstatoi dënimin penal. Menjëherë më pas, Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal dhe paraditen e së hënës Thanza u thirr si i akuzuar në Prokurorinë e Tiranës.

Mësohet se ish-gjyqtari i lartë i ka qëndruar versionit të tij se veprën e vjedhjes për të cilën është dënuar nuk e ka kryer asnjëherë, por që ka qenë i detyruar të merrte përsipër një veprim të kunatës së tij në mënyrë që të mos rrezikonte kujdestarinë e nipit që duhej të operohej në Itali nga një sëmundje.

Ndërsa mosdeklarimin e këtij dënimi, e ka justifikuar me faktin se kështu ishte këshilluar nga avokati i tij gjatë kohës që kishte plotësuar formularin e dekriminalizimit.

Pas mbarimit të dëshmisë që zgjati rreth dy orë, gjyqtari ka shmangur kamerat duke mos preferuar që të japë asnjë prononcim për mediat. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë u shkarkua nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit në korrik të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë