Ne rrjet

Frikë për një atentat ose rrëmbim, kryeministri holandez kërcënohet nga ‘Mocro Maffia’

Kryeministri holandez, Mark Rutte, është vendosur nën mbrojtje të përforcuar nga frika se bandat kriminale mund ta rrëmbejnë apo të kryejnë nj atentat të mundshëm ndaj tij. Lajmi bëhet publik nga gazeta më e madhe në vend, “De Telegraaf ".

Sipas të përditshmes holandeze, e cila citon burime të inteligjencës, shërbimet holandeze e kanë marrë vendimin pasi disa “vëzhgues” - anëtarë të bandave kriminale që mbledhin informacion dhe përgatisin terrenin për një sulm apo rrëmbim - u identifikuan pranë shtëpisë së tij.

“De Telegraaf”, raporton se anëtarët e Shërbimit Mbretëror dhe Diplomatik të Mbrojtjes (Dkdb), i janë caktuar kryeministrit si pjesë e një kombinimi të masave shtesë "të dukshme dhe të padukshme".

Gjatë 11 viteve të tij si kryeministër, Rutte përdorte gjithmonë biçikletën e tij për të shkuar në punë dhe gjithnjë shëtiste nëpër Hagë i pambrojtur.

Sidoqoftë, niveli i alarmit është rritur në mënyrë të konsiderueshme pas vrasjeve të fundit të personazheve publikë, si gazetari Peter R. de Vries dhe avokati Derk Ëiersum, mbrojtës i Nabil Bakkali, një personazh kriminal i penduar që i kishte dhënë policisë informacione vendimtare për shefin e mafias marokene., Ridouan Taghi, në këmbim të uljes së dënimit. Vëllai i Nabil Bakkali u vra gjithashtu në vitin 2018. Në vitin 2016, Martin Kok, një ish-kriminel dhe bloger që shkroi për mafien, u vra po shtu.

Në qershor 2018, dikush kishte dërguar një furgon, duke u përplasur në fasadën e redaksisë së gazetës “De Telegraaf” dhe më pas i kishte vënë flakën. Selia e revistës “Panorama” në Holandë, u godit nga një raketë anti-tank pak kohë më parë, por pa shkaktuar për fat të mirë viktima.

Kërcënimi i “Mocro Maffia”-s - mafia marokene e trafikut të drogës, është bërë jashtëzakonisht më e afërt dhe më e rrezikshme që kur u hap gjyqi ndaj 17 anëtarëve të kësaj organizate kriminale që vepron kryesisht në Vendet e Ulëta (Holandë-Belgjikë), por edhe në shtete të tjera perëndimore.

Për këtë arsye, muajt e fundit, protokollet e sigurisë janë forcuar si për të mbrojtur personalitete të caktuara - avokatë, magjistratë, gazetarë, zyrtarë – ashtu dhe vende të rëndësisë së veçantë, përfshirë Parlamentin holandez në Hagë.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë