Analize

Holanda është tanimë një narko-shtet në zemër të Europës

Në kushtet kur zona dikur të sigurta si Costa del Sol në Barcelonë, janë bërë sot fushëbeteja të luftërave midis bandave rivale, qytetet e Roterdamit dhe Antverpit, janë shndërruar në portën hyrëse të kokainës në Europë.

Pas depërtimit të mafias në portet e tyre, në rrugët e Amsterdamit dhe Brukselit po përleshen me njëri-tjetrin bandat e Ballkanit dhe Saharasë.

Raportet e fundit mbi rrugët e reja të trafikut të drogës nga EUROPOL dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Kontrollin e Drogës dhe Parandalimin e Krimit nuk përdorin aspak fjalë diplomatike: Hamburgu, Antverpi dhe Roterdam, janë “epiqendrat” e trafikut të kokainës që lidh të dyja brigjet e Atlantikut.

Dhe pikërisht në Roterdam, portin me fluksin më të madh në Evropë; u krye mbrëmjen midis 16-17 shtatorit një nga sekuestrimet më të mëdha të kokainës në historinë e Holandës.

Autoritetet holandeze, ndaluan një kontejner që vinte nga Surinami, dhe kishte si destinacion përfundimtar Poloninë, brenda së cilës ishin fshehur pak më shumë se 4 ton kokainë, me një vlerë tregu prej rreth 300 milionë eurosh.

Një nga laboratorët më të mëdhenj të rafinimit të kokainës i zbuluar ndonjëherë në Evropë, si dhe më i madhi i zbuluar ndonjëherë në Holandë, u shkatërrua në Nijeven në korrikun e vitit të kaluar. Operacioni çoi në arrestimin e 17 personave, zbulimin e dhjetëra mijëra litrave substanca që përdoren për përpunimin e drogës, dhe në sekuestrimin e 100 kg kokainë bazë. Laboratori ishte i aftë të përpunonte 150-200 kilogramë kokainë në ditë.

Është shumë shqetësues bashkëpunimi midis punonjësve të portit të Roterdamit dhe karteleve të drogës. Sikurse e konfirmon Piter Tops i Akademisë së Policisë Holandeze, kohët e fundit 28 nga 30 punonjësit e një kompanie dhanë dorëheqjen, pasi u njoftua fillimi i kontrolleve mbi cilësinë e punës së tyre.

Droga është me origjinë nga Amerika Latine, sidomos nga Brazili dhe Kolumbia, dhe trafikimi i saj po kryhet gjithnjë e më pak nga organizatat kriminale tradicionale -si italianet Ndrangheta dhe Camorra.

Kartelet shqiptare dhe marokene të drogës, janë më pak objekt i presionit gjyqësor sesa rivalët e tyre italianë. Nëse në Belgjikë trafiku i drogës, është praktikisht i monopolizuar nga trafikantët e ardhur nga Shqipëria -që besohet të jenë kontrollorët de fakto të portit të Antverpit – në Holandë skena dominohet nga ushtarët dhe kumbarët turko-marokenë të krimit të organizuar, të cilët media dhe hetuesit i quajnë zakonisht “Mocro Mafia”.

Një krim i organizuar shumë i egër, dhuna e të cilit e shokoi publikun dhe hetuesit holandezë, pasi i ngjan shumë asaj të Cosa Nostra-s në Italinë e viteve 1980; sulme, përplasje dhe vrasje të gazetarëve dhe ligjvënësve, siç është rasti i avokatit Derk Viersum, i vrarë më 18 shtator 2019.

Mund të mos jetë aspak një rastësi, që kapja e një sasie shumë të madhe të kokainës në portin e Roterdamit, të ketë ndodhur pikërisht tani. Autoritetet dhe qeveria duhej t’i dërgonin një mesazh të fortë opinionin publik, ende të tronditur nga vrasja e Peter de Vries, gazetarit investigativ më të njohur në vend, që për vite me radhë ishte në listën e zezë të kreut të bosëve të “Mocro Mafia”, Ridouan Taghi.

Ndaj sekuestrimi policor i 16 shtatorit është shumë i rëndësishëm, pasi i shkaktoi një dëm të madh aktivitetit ilegal të “Mocro Mafia”. Por lufta për çrrënjosjen e këtij problemi nuk ka mbaruar.

Sepse nuk mund të mjaftojë vetëm një sekuestrim për të ndryshuar realitetin, për të ndalur vrasjet apo prishur unitetin e fortë midis trafikantëve të drogës, kompanive portuale dhe sistemit bankar, i përshkruar në shkrimin e fundit investigativ me titull “Nederland, Drugsland”, që ka nxitur një numër analistësh në rritje, 60 për qind të opinionit publik, dhe madje edhe sindikatën më të rëndësishme të policisë holandeze, të flasin për Holandën si një narko-shtet në zemër të Europës. Burimi Inside.it/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë