Lajme

Frika nga incidentet, Superliga rikthehet të luhet vetëm ditën

Pas një pushimi 10-ditor rikthehet pasditen e sotme Superliga Shqiptare me tre ndeshjet e para të javës së katërt. Në këtë javë të katërt FSHF ka vendosur që të gjitha ndeshjet të luhen me dritë natyrale. Vendimi i FSHF-së vjen pas incidentit në ndeshjen Tirana-Teuta, ku u fikën dritat, por edhe pas një inspektimi që nxori disa probleme në këto impiante. Të treja ndeshjet, Luftëtari-Flamurtari, Teuta-Vllaznia dhe Tirana-Skënderbeu janë për mos t'u humbur, por sigurisht vëmendja kryesore do të jetë e përqendruar në “Selman Stërmasi”.

Nga ndeshja e para dy vitesh Tirana-Skënderbeu - Gazeta Si, 14 shtator 2019

Tirana e Ardian Memës pas 7 pikëve në tre ndeshjet e para, në këtë raund të katërt do të jetë përballë një skaneri me emrin Ilir Daja. Ky i fundit e njeh mjaft mirë ambientin bardheblu, por njeh edhe trajnerin, të cilin për vite me radhë e ka pasur bashkëpunëtor në disa ekipe të ndryshme. E vërtetë që ky Skënderbe i këtij sezoni nuk është ai i dekadës së fundit që bënte histori, por nuk duhet nënvlerësuar, për më tepër kur në stol është një mjeshtër si Daja. Ndeshja do të luhet prej orës 16:00 dhe ky mund të jetë një fakt që nuk e favorizon prezencën e tifozëve, por gjithsesi pritet të jetë ndeshja me më shumë tifozë këtë javë.

Moment nha ndeshja Vllaznia - Teuta e para dy sezonesh = Gazeta Si, 14 shtator 2019

Shumë interesante pritet të jetë edhe ndeshja në “Niko Dovana”, ku Teuta e Bledi Shkëmbit pret Vllazninë. Durrsakët janë në kuotën e 7 pikëve dhe kanë ndërtuar një ekip me ambicie të mëdha dhe ndalesën e vetme e kanë bërë në Tiranë. Ndërsa Vllaznia në sezonin e parë pas ngjitjes në Superligë u rrezua në shtëpi nga Tirana dhe këtë ndeshje do të tentojë të rikthehet te rezultatet pozitive.

Moment nga ndeshja e vitit të shkuar Luftëtari-Flamurtari. Gazeta Si, 14 shtator 2019

Ndërsa në Gjirokastër do të luhet ndeshja mes dy ekipeve që këtë vit duket se do të luftojnë për të mbijetuar në Superligë. Luftëtari me zero pikë në tre ndeshje dhe tre trajnerë të ndryshuar në tre javë pret Flamurtarin e 1001 halleve. Vlonjatët dhe gjirokastritët janë dy ekipet më të dobëta në këtë start të Superiores dhe kjo ndeshje e sotme do të tregojë se cila nga këto dy skuadra do të ketë shanset më të mëdha për të prerë e para biletën për në Kategorinë e Parë.   


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë