Bota

Francë, shkollat ndalojnë vajzat që do të mbajnë veshje tradicionale islame

Gazeta Si - Franca do t'i ndalojë studentet islamike që të vijnë në shkollë të veshura me “abaya”, veshje tradicionale që mbulon trupin e gruas nga shpatullat te këmbët, shpesh e shoqëruar nga një vello që e lë vetëm fytyrën të zbuluar.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Arsimit, Gabriel Attal gjatë një interviste për televizionin TF1.

Attal shtoi se po përgatitet të transmetojë "rregulla të qarta në nivel kombëtar" për të gjithë drejtuesit e shkollave.

Vendimi rrezikon të hapë një "luftë të re kulturore" dhe jo vetëm me komunitetet e shumta islame të Francës, vetëm pak javë pas trazirave që i vunë flakën lagjeve periferike të shumë qyteteve të vendit.

Ministri Attal e bëri të ditur vendimin e tij pak ditë pas rihapjes së shkollave në Francë, duke e cilësuar atë si “të domosdoshëm dhe të drejtë”.

“Shkolla e Republikës u ndërtua mbi vlera të forta, në veçanti mbi laicizmin. Laiciteti është një liri, jo një kufizim. Nuk duhet të përcaktohet feja e një studenti duke hyrë në një klasë". Attal u emërua shef i arsimit publik korrikun e kaluar.

“Abaja” është një fustan që mbulon tërë trupin, përveç kokës, dhe kombinohet me një hixhab apo mbulesë tjetër e kokës nga gratë myslimane në vende e botës myslimane, kryesisht në Lindjen e Mesme.

Ditët e fundit, ministria kishte publikuar një raport, i cili nënvizonte se natyra laike e shkollës ishte nën sulm: mbi 4700 raste në të cilat nxënësit kishin shkelur ndalimin e shfaqjes së simboleve fetare u raportuan gjatë vitit të kaluar shkollor.

Që nga viti 2004, Franca ka ndaluar kryqet, kippahët hebrej dhe mbulesat islame në shkolla: “abaya” ishte toleruar deri më tani.

Mbështetësit e laicizmit denoncojnë se simbolet fetare, në veçanti ato myslimane, po pushtojnë hapësirën publike, ndërsa kritikët, përkundrazi, e konsiderojnë diskriminuese ndalimin e dikujt që të demonstrojë përkatësinë e tij fetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë