Futboll

Francë, PSG fiton titullin e nëntë (dhe të fundit) me penallti

Paris Saint-Germain ka mundur Lyon 6-5 me penallti (0-0 pas kohës shtesë) duke siguruar trofeun e Kupës së Ligës Franceze për herë të nëntë në histori. Navas pret penalltitë e Traore dhe Sarabia nënshkruan penalltinë vendimtare që u jep sukses parisienëve. Skuadra e drejtuar nga Tuchel ngrenë trofeun për herë të nëntë, mbase dhe të fundit përgjithmonë: Kupa e Ligës Franceze do të pezullohet nga sezoni i ardhshëm.

Një ndeshje ku parisienët mbajtën zotërimin e topit 56%, por ku rastet numërohen me pikatore. Pa Mbappe të dëmtuar, e gjithë loja e kryeqytetasve ishte përqendruar tek Neymar, që nuk arriti ta zgjidhte ndeshjen në kohën e rregullt, e as në 30 minutat e shtesës. Dëmtimi i Icardit dhe Kurzawa bëri të vetën, pa përmendur këtu se Garcia kishte blinduar prapavijën për të përdorur kundërsulmin. Asnjëra nuk ia doli të gjejë rrugën e rrjetës, jo për 90 minuta, por as për 120 minuta lojë.

Pas kësaj skuadrat iu drejtuan 11-metërshave, aty ku përsëri ishin të barabarta deri te penalltia e 6-të kur Traore gaboi për Lionin, me gjuajtjen që iu ndal nga Navas, ndërsa Sarabia u tregua i saktë dhe trofeu i Kupës së Francës shkoi për parisienët. Ky është trofeu i katërt sezonal për PSG pasi më herët kanë fituar Superkupën e Francës, kampionatin dhe Kupën e Francës.

https://twitter.com/mohamedzemzem07/status/1289321273743425537

Për të dy skuadrat tani përqëndrimi është në Champions League, ku PSG do të përballet me Atalanta në çerekfinale, ndërsa Lyon do të zhvillojë ndeshjen e kthimit përballë Juventus në Torino, ku e kanë fituar takimin e parë në stadiumin Groupama me rezultatin 1-0.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë