“France Football” e ka tepruar pak. Mesi i buzëqeshur me fanellën e PSG-së në faqe të parë të prestigjiozes franceze është interpretuar si një sulm nga mediet katalanase, që kanë dalë hapur kundër klubit parisien. Lufta mediatike ka nisur e forte një javë para sfidës mes dy skuadrave në “Camp Nou”.
Barcelona do të presë klubin e emirit nga Katari për fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve. Destabilizimi i situatës nga zërat e merkatos mund të ndikojë jo pak në këtë përballje. Do të jetë hera e parë që Nejmar do të luajë ndaj ish-skuadrës dhe mikut të tij Lionel Mesi. Sipas “France Football”, Mesi është pjesë e një grupi Whatsapp për të krijuar idenë e klimës familjare në dhomat e zhveshjes së PSG-së.
Nejmar duket se po bën gjithçka për ta bindur argjentinasin të transferohet në Paris. Pavarësisht vështirësive ekonomike të PSG-së, sipas të përjavshmes franceze, operacioni mund të kryhet me ndonjë manovër alternative për të gjetur fondet e nevojshme për pagën e sulmuesit të Barcelonës. Kohët e fundit janë shtuar telefonatat për Mesin nga kryeqyteti francez, tashmë kjo është e qartë.
Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, ka shpjeguar për “France Football” se klubi i tij ka një vend në tavolinën e atyre që ndjekin situatën e Mesit nga afër. Trajneri Poketino ia ka dhënë mirëseardhjen prej kohësh, patriotët Di Maria dhe Paredes ëndërrojnë ta kenë shok skuadre, ndërsa Verrati ka thënë se do të ishte dhurata më e bukur. Presidenti Al Khelaifi është shprehur se nuk mund të flasë për një lojtar të një skuadre tjetër, por sigurisht që njerëzit e tij po punojnë fort.
Me 1.2 miliardë borxhe, Barcelona duket se nuk ka mundësi ta mbajë ikonën e saj. Katalanasit besojnë se zgjedhja e Joan Laportës president mund ta bindte Mesin të qëndrojë. Asgjë nuk është e sigurt. Ndërkaq, deklaratat nga Parisi kanë shkaktuar tension dhe indinjatë te mediet katalanase.
“Sport” dhe “Mundo Deportivo” kanë folur sot për provokim dhe persekutim, kurse për “Chiringuito” bëhet fjalë për mungesë respekti. Në fakt, të njëjtën gjë kanë bërë edhe mediet katalanase vitet e fundit me Nejmarin, duke shkruar se ai është i destinuar të kthehet te Barcelona. Braziliani ka zgjedhur të qëndrojë në Paris, ndoshta me Mesin përkrah, ndaj dhe Barcelona po dridhet në prag të sfidës direkte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.