Bota

Franca ndalon peshkarexhën britanike në La Mansh, ‘betejë detare’ mes Parisit dhe Londrës

Franca ka ndaluar mbrëmjen e të enjtes një anije peshkimi angleze, e cila akuzohet për shkelje të ujërave territoriale pranë portit të Le Havres në bregun e La Manshit.

Bëhet fjalë për një përshkallëzim të papritur të mosmarrëveshjes për të drejtat e peshkimit, i cili prej muajsh ka kundërshtuar qeverinë franceze dhe britanike: pas Brexit, peshkatarët lokal dhe normanë, duhet të marrin një leje ‘ad hoc’ për të operuar në ujërat britanike, veçanërisht ato përreth Ishujve të Kanalit përballë brigjeve franceze.

Por Parisi ankohet se britanikët po japin licenca me pikatore, duke vënë në rrezik industrinë franceze të peshkimit. Prandaj ka mbërritur dhe ultimatumi: nëse deri më 2 nëntor, nuk merr mjaftueshëm leje, Franca kërcënon të lejojë hyrjen e anijeve britanike në portet e saj, si dhe të ngadalësojë të gjithë trafikun e mallrave midis dy anëve të Kanalit, duke vendosur kontrolle rigoroze mbi kamionët dhe standardet doganore dhe shëndetësore për mallrat që vijnë nga Londra.

Në praktikë, një luftë tregtare gjithëpërfshirëse, e cila rrezikon të mos ndalet me kaq, sepse lëvizja e radhës nga francezët mund të jetë edhe bllokimi i furnizimeve me energji në Britaninë e Madhe. Me pak fjalë, një embargo e plotë siç nuk është parë që nga luftërat e Napoleonit.

"Deri tani kemi kërkuar dialog, - tha ministri francez për Evropën, Clement Baune, - por ne kemi marrë vetëm gjysmën e licencave të peshkimit, që nuk mjaftojnë dhe nuk është e pranueshme. Kështu që tani, duhet të përdorim gjuhën e forcës, sepse kjo është e vetmja gjë që kupton qeveria britanike”.

Por kryeministri Boris Johnson nuk do të qëndrojë duarkryq. "Kërcënimet nga Franca janë zhgënjyese dhe joproporcionale, - tha një zëdhënës i ‘Downing Street’, - dhe nuk është ajo që ne do të prisnim nga një aleat dhe partner i ngushtë". Pra, pritet "një përgjigje e përshtatshme dhe e kalibruar". Me fjalë të tjera, një “reprezalje”.

Marrëdhëniet franko-britanike kanë zbritur kështu në nivelin më të ulët historik dhe në Londër, presidenti francez Emmanuel Macron, akuzohet se nuk e ka “tretur” kurrë Brexit-in dhe se dëshiron të bëjë që britanikët të paguajnë për atë. Për më tepër, pranverën e ardhshme, Macron do të kandidojë për t’u rizgjedhur si president i Francës.

Parisi, në këtë mosmarrëveshje me Londrën, shpreson për solidaritet evropian: por njëfarë turpi shfaqet nga Brukseli dhe kryeqytetet e tjera, veçanërisht kur BE-ja është e angazhuar në një negociatë delikate me Britaninë e Madhe për statusin e Irlandës së Veriut.

Në këtë fazë, një "betejë detare" nuk ndihmon. Por është e qartë se si Parisi ashtu edhe Londra, kanë një interes politik për të treguar fytyrat e tyre të ashpra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë