Bota

Foto / Zjarret në Kanada, alarm për ndotjen edhe në Uashington: Qëndroni në shtëpi!

Gazeta Si - Pas Nju Jorkut, edhe Uashingtoni DC është në alarm për ndotjen mjedisore për shkak të zjarreve në Kanada.

Në kryeqytetin amerikan, autoritetet kanë dekretuar se niveli i rrezikut të ajrit është ngjyrë vjollcë, shkalla maksimale.

Qyteti është i mbështjellë në një mjegull gri dhe i përshkuar nga një erë e fortë djegieje.

Banorët janë këshilluar që të mos dalin nga shtëpitë e tyre ose të mbajnë maskë. Ndeshja e planifikuar e bejsbollit midis ekipit vendas, Nationals dhe Diamondbacks është anuluar.

Reja gjigante e tymit po lëviz gjithnjë e më shumë në jug. Indekset e cilësisë së ajrit kanë tejkaluar nivelet paralajmëruese. Sipas ekspertëve, tymi nga Quebec dhe Nova Scotia, mund të vazhdojë edhe gjatë fundjavës.

Shtëpia e Bardhë ka anuluar një ngjarje të muajit të Krenarisë në natyrë për shkak të një alarmi ndotjeje në Uashington, sipas një shënimi nga  administrata.

Ndërkohë, tymi nga zjarret mund të mbërrijë deri në Norvegji, duke iu afruar Europës.

Kjo është ajo që vëren Instituti Norvegjez i Kërkimeve për Klimën dhe Mjedisin (Nilu), i cili ka përdorur një model parashikimi, ku thekson se si tymi do të kalojë nëpër atmosferë.

Instituti i Pavarur i Kërkimeve thotë se tymi është përhapur edhe mbi Grenlandë dhe Islandë.

"Ne mund të jemi në gjendje të shohim një mjegull ose nuhatje tymi," tha studiuesi i Nilu, Nikolaos Evangeliou.

“Megjithatë ne nuk besojmë se numri i grimcave në ajër këtu në Norvegji do të jetë mjaft i madh sa të jetë i dëmshëm për shëndetin tonë”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë