Bota

Foto / Spanjë, zjarret në Tenerife ende jashtë kontrollit. Evakuohen rreth 8 mijë persona

Gazeta Si - Zjarri ka një perimetër prej gati 30 kilometrash. "Është ndoshta më e ndërlikuara që kemi pasur në Kanarie, të paktën në 40 vitet e fundit", - u tha guvernatori gazetarëve.

Zjarri i madh që shpërtheu mbrëmjen e së martës në Tenerife u zhvillua në një zonë të pjerrët dhe malore, e vështirë për ekuipazhet e emergjencës.

Autoritetet spanjolle kanë deklaruar se objektivi i tyre kryesor është të frenojnë flakët dhe t'i pengojnë ato të arrijnë në zonat më të populluara. Qyteti kryesor i ishullit, Santa Cruz, ndodhet 20 kilometra nga zona e prekur.

Zjarri kërcënon gjashtë komuna. Rreth 7600 banorë të zonës janë evakuuar ose janë urdhëruar të qëndrojnë brenda për shkak të cilësisë së dobët të ajrit.

Zyra e turizmit në Tenerife, nënvizoi në një deklaratë se zonat kryesore turistike dhe qytetet e ishullit janë larg zjarrit.

Aktivitetet vijojnë normalisht në ambientet akomoduese, plazhet dhe vendet e tjera turistike që ndodhen në zonat pranë bregdetit dhe në qendër.

Por aksesi në Parkun Kombëtar Teide, atraksioni më i rëndësishëm turistik i Tenerifes pas plazheve, do të jetë i mbyllur për publikun.

Të gjitha objektet turistike rreth zonës së vullkanit Teide, përfshirë akomodimin, do të evakuohen, së bashku me stafin e Institutit të Astrofizikës në Ishujt Kanarie.

Muajin e kaluar, më shumë se 2,000 njerëz u evakuuan, pasi një zjarr në ishullin fqinj La Palma preku rreth 4,500 hektarë.

Sipas të dhënave nga qeveria spanjolle, në shtatë muajt e parë të vitit flakët dogjën pothuajse 64 mijë hektarë në vend. Kjo është shifra e tretë më e lartë në dekadën e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë