Lajme

Foto/ Ikin dritat në Kryesinë e Kuvendit, OSHEE sqaron pse u stakua energjia

Si për ironi të fatit, energjia elektrike ka ikur edhe në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, pikërisht kur në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, diskutohej marrëveshja e huasë mes BERZH-it dhe OSHEE-së.

Arsyeja e ikjes së dritave për 6 minuta, duket se ka qenë një shkëndijë elektrike e ndodhur në kabinën private në pronësi të Kullave Binjake, duke sjellë stakimin e saj në të gjithë zonën.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ka sqaruar se stakimi i energjisë, u bë me qëllim sigurimin e zonës dhe menjëherë u manovrua duke rikthyer energjinë përmes linjës së dytë.

Shkak i rënies së zjarrit, ka qenë “zhvillimi i një harku të madh elektrik, pasi mungonte izolacioni i pajisjeve të këtij subjekti, që ka detyrim ligjor për të kryer mirëmbajtjen e kabinës që posedon si aset”.

Në bazë të protokolleve të sigurisë për impiantet, u procedua për stakim të menjëhershëm të linjës L12, për të penguar thellimin e avarisë në kabinë, që të mos përbënte rrezik për jetën e personelit, të komunitetit dhe të vetë impianteve.

Si pasojë e stakimit të linjës, mbeti pa energji elektrike Kuvendi i Shqipërisë (10:57 – 11:03), i cili gjatë kësaj kohe nuk mundi të fuste në operim gjeneratorin, për shkak të një anomalie mekanike në ndezje.

Megjithëse dritat u shkëputën, mbledhja, e cila po transmetohej online në faqen zyrtare të Kuvendit vijoi dhe u shoqërua me debat mes ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe deputetit demokrat, Arbi Agalliu, pasi ky i fundit nisi të bënte foto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë