Bota

FOTO/ Fluks emigrantësh nga Maroku drejt Spanjës, 6.000 në një ditë në Ceuta

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez është në Ceuta, një enklavë e vendit Iberik që po përjeton një krizë migrimi të paparë për shkak të ardhjes së mijëra njerëzve nga Maroku brenda pak orësh. I pranishëm me të ka qenë edhe Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska.

Disa orë para mbërritjes në Ceuta, Sánchez kishte thënë se Spanja do të vepronte "me vendosmëri" për të zgjidhur këtë "krizë serioze", e cila ndodhi në të njëjtën kohë me tensionet diplomatike midis Madridit dhe Rabatit.

Më parë, Ministri i Brendshëm kishte raportuar se 2,700 migrantë janë dërguar tashmë në Marok nga enklava spanjolle, pasi kishin kaluar në mënyrë të parregullt kufirin në orët e fundit.

Marlaska kishte theksuar se që nga nata mes të dielës dhe të hënës rreth 6,000 njerëz kishin hyrë në territorin spanjoll. Njësitë e ushtrisë spanjolle janë vendosur në një pjesë të plazheve të enklavës Ceuta për të frenuar ardhjet masive të migrantëve nga Maroku.

Nga ana tjetër, forcat marokene të sigurisë në Fnideq, hapën gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë të madhe emigrantësh në gardhin e kufirit. "Në këtë moment, hyrja e migrantëve duket të jetë nën kontroll", - tha presidenti i Ceutas, Juan Jesús Vivas.

Të paktën 85 migrantë, arritën të hyjnë në mënyrë të paligjshme në enklavën spanjolle të Melilla në brigjet e Afrikës Veriore nga Maroku këtë mëngjes.

Kjo u njoftua nga prefektura e Melillas, duke specifikuar se ata janë njerëz nga vendet e Afrikës nën-Sahariane. Ndërkohë, qeveria spanjolle ka bërë të ditur se 1500 nga migrantët që arritën të hyjnë dje në Ceuta, u dëbuan në Marok.

"Kufiri spanjoll i Ceutës është një kufi evropian. Solidariteti i plotë me Spanjën". Kështu shkruan në Twitter nënkryetari i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, pas mbërritjes së emigrantëve.

"Tani, - shton ai, - na duhet pakti për një politikë evropiane migrimi: marrëveshje me vendet e treta, mbrojtje e fortë e kufijve tanë, solidaritet midis vendeve anëtare dhe një politikë e ligjshme e migracionit".

Koncept i riafirmuar gjithashtu nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në Twitter: "E gjithë mbështetja dhe solidariteti ynë me Spanjën. Kufijtë e Spanjës janë ato të BE-së".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë