Bota

Foto / Bilanc dramatik nga zjarret në Hauai, numri i të vdekurve në Maui shkon mbi 100

Gazeta Si - Bilanci i viktimave në Hauai sa vjen e rritet nga dita në ditë. Numri i banorëve që kanë humbur jetën nga zjarret masive, që pothuajse shkatërruan një qytet në ishullin Maui, ka kaluar mbi 100.

Këtë e ka bërë të ditur guvernatori i arkipelagut amerikan të Hauait, Josh Green.

"Tani ka 101 jetë që janë humbur", tha Green në një fjalim televiziv, duke shtuar se ekipet e shpëtimit kanë mbuluar deri më tani pak më shumë se një të katërtën e zonës së kërkimit që duhet të mbulojnë.

Numri i të vdekurve, siç raportohet nga guvernatori i ishullit, nuk është ende përfundimtar, sepse "me siguri ka ende të zhdukur, por ne nuk jemi në gjendje t'i përcaktojmë saktësisht", njoftoi policia lokale.

Kushtet e erërave të forta dhe thatësirës vazhdojnë, të cilat nuk lehtësojnë përpjekjet për ndihmë.

Gjithnjë e më të forta janë edhe polemikat për mungesën e parandalimit dhe keqmenaxhimit të emergjencës, të cilat kanë çuar në hapjen e një hetimi zyrtar.

Bëhet fjalë për zjarret më shkatërruese në mbi një shekull të historisë së SHBA-së.

Qyteti i Lahaina, në bregun perëndimor të Maui, u përfshi pothuajse tërësisht nga flakët: mijëra ndërtesa u shkatërruan dhe shumë prej tyre u shndërruan në një grumbull hiri.

Në ish-kryeqytetin e mbretërisë së Hauait, i cili kishte 12,000 banorë, autoritetet kanë paralajmëruar tashmë se numri i viktimave nga zjarret mund të rritet ndjeshëm në ditët në vijim.

Të afërmit e personave të zhdukur po inkurajohen t'i nënshtrohen testeve të ADN-së për të ndihmuar në identifikimin e trupave, të cilët shpesh nuk njihen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë