Bota

Foshnja 10-muajshe mbahet ende peng nga militantët e Hamasit në Gaza, familjarët apelojnë

Gazeta Si - Mes pengjeve të liruar nuk ka asnjë gjurmë të Kfir Bibas, më i riu nga dhjetëra fëmijët e rrëmbyer nga Hamasi në enklavën izraelite në kufi në Gazën.

Foshnja, një djalë, sapo ka mbushur 10 muaj dhe është marrë më 7 tetor nga Nir Oz së bashku me vëllain e tij 4-vjeçar Ariel, babain Yarden dhe nënën Shiri.

Askush nuk di më asgjë për familjen Bibas dhe të martën të afërmit ngritën sërish zërin e tyre për të nxitur opinionin publik izraelit dhe ndërkombëtar.

Para qindra njerëzve të mbledhur në Tel Aviv në "Sheshin e pengjeve", midis hyrjes së Muzeut të Tel Avivit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, thirrjet e tyre u lexuan në hebraisht, anglisht dhe arabisht dhe u hodhën qindra balona në qiell.

"Yarden, Shiri, Ariel dhe Kfir janë mbajtur peng nga Hamasi për 53 ditë, - kujton Dana Siton, tezja e tij. - Nuk e dimë se cilat janë kushtet e tyre. A janë akoma bashkë? A hanë? Kush i përqafon fëmijët, kush i qetëson kur qajnë?".

Hamasi, nëpërmjet ndërmjetësuesve, informoi Izraelin se "nuk e di" fatin e Bibas.

Por zëdhënësi ushtarak izraelit Daniel Hagari u përgjigj se edhe nëse ata do të ishin në duart e një fraksioni tjetër, "përgjegjësia mbetet ende e Hamasit".

Një tjetër zëdhënës i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, tha se Hamasi mund ta ketë dorëzuar Bibas te një organizate tjetër "sikur të ishin plaçkë lufte".

Por ai publikoi gjithashtu një fotografi të bërë më 7 tetor gjatë rrëmbimit të Yarden Bibas, në të cilën mund të shihet një person duke e tërhequr nga krahu, i treguar nga zëdhënësi ushtarak si një njeri i Hamasit, që vepron në zonën Khan Yunis, në jug të Rripit.

"I drejtohem Hamasit, - vazhdoi Dana Siton, duke treguar fotografitë e Kfirit dhe Arielit. - A janë vërtet këta armiqtë tuaj?".

Pasi falënderoi izraelitët për mbështetjen e marrë, Siton tha gjithashtu fjalë mirënjohjeje për presidentin e Shteteve të Bashkuara Joe Biden, për emirin e Katarit Tamim bin Hamad al-Thani dhe për presidentin egjiptian Abdel Fatah al-Sisi për përpjekjet e tyre për të liruar pengjet.

Familjarët e Bibas presin ndërhyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për të vizituar personat që janë ende peng.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë