Sport

Formula 1, Hamilton mposht rivalët dhe…jurinë në Gjermani

Ljuis Hamilton ka fituar “Çmimin e Madh” të Gjermanisë dhe tashmë është sërish në krye të Botërorit të Formulës 1. Piloti britanik ka triumfuar në fund të një gare që është kushtëzuar nga reshjet e shiut, që kanë tradhtuar Ferrarin dhe Fetelin. Piloti gjerman është përplasur me murin në xhiron e 52-të, kur ishte në kryesim. Një gabim që i ka kushtuar shumë, sepse Hamilton ka tashmë 17 pikë më shumë në klasifikim. Në pod janë ngjitur edhe Botas, makina tjetër Mercedes, si dhe Raikonen. Interesant është fakti se pas garës ka pasur një hetim për Hamiltonin në lidhje me një parregullsi në xhiron e 53-të. Pas një ore e gjysmë diskutimesh, juria vendosi vetëm për një qortim dhe fitorja e britanikut nuk është prekur.

Pista e Hokehaimit në Gjermani

Në Hokenhaim, në shtëpinë e Sebastian Fetel, Hamiltoni i është përgjigjur triumfit të rivalit në Silverston. Ka qenë një garë fantastike, me një rikuperim të çmendur të britanikut nga pozicioni i 7-ë. Por edhe fati këtë radhë i ka dhënë një dorë. Reshjet e shiut në 20 xhirot e fundit e transformuan garën. Një e diel, që dukej se do t’i buzëqeshte Ferrarit, është kthyer në një makth për ish-kryesuesin e renditjes.

Sebastiasn Fetel humbi kontrollin në një sektor, ku në fakt nuk kishte nga t’ia mbante dhe u përplas me barrierat, duke e mbyllur garën pikërisht poshtë tifozëve të tij. Deri në këtë moment gjermani ishte i pakapshëm, pasi e kishte administruar shumë mirë garën. Fitorja, 15 xhiro para fundit, dukej e sigurt, pavarësisht ujit që ishte në disa sektorë të pistës. Papritur Fetel ka bërë gabimin që nuk e priste dhe i ka dhuruar kështu fitoren rivalit Hamilton.Pas garës, Fetel u ka kërkuar falje të gjithëve në skuadrën e Ferrarit. 

Makina e Sebastian Fetel në momentin e përplasjes

Në ndihmë të Hamiltonit për t’iu afruar vendeve të para, pavarësisht kushteve të vështira, erdhi edhe “Safety Car”, që hyri në pistë pas incidetnit të Fetelit. Gjithashtu, një tjetër ndihmë për britanikun ishte edhe vendimi i Mercedesit, që udhëroi Botasin të mos e sulmonte shokun e skuadrës. E gjitha kjo i garantoi Hamiltonit një triumf, që një ditë më parë dukej vetëm një mirazh.

Ljuis Hamilton feston fitoren

Hetimi për britanikun

Ljuis Hamilton është hetuar për suksesin në këtë garë. Drejtuesit e garës, siç ka informuar siti zyrtar i Formula 1, ka analizuar me kujdes momentin, kur Hamilton, në fazën e fundit të garës, ka kaluar jashtë linjës që ndan “pit-lane” nga pista. Një lëvizje që është e ndaluar sipas rregullores së FIA-s. Piloti britanik rrezikonte një dënim prej 5 senondash, që do të bënte që fitorja t’i kalonte shokut të skuadrës Botas. Pas një ore e gjysmë diskutim me Hamiltonin dhe pjesëtarët e skuadrës së tij, juria vendosi për një dënim shumë të lehtë, për një qortim, kështu që suksesi i Ljuisit nuk u cënua.

Renditja pas garës së sotme

Ja dhe renditja e pilotëve pas garës së Gjermanisë:

Renditja e konstruktorëve


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë