Karl-Hainc Rumenige, administratori i deleguar i Bajernit të Mynihut, ka zbuluar disa projekte në lidhje me reformën e kupës më të rëndësishme në rang klubesh, Ligës së Kampionëve: “UEFA po mendon për “një javë futboll”, si një tërheqje e madhe për njerëzit, ngjashëm “Super Bowl”. Është bukur, sipas meje”, - ka thënë Rumenige.
Organi më i lartë i futbollit në Europë është duke studiuar një format të ri të Ligës së Kampionëve (bëhet fjalë për sezonin 2024/25) dhe eksperienca e sezonit që shkoi, me ndeshjet çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale në të njëjtin qytet, është si një burim frymëzimi për të ardhmen.
Ideja për një festë futbolli, që do të merrte vëmendjen e gjithë botës (siç ndodh me “Super Bowl” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës), është vetëm një nga idetë që UEFA po vlerëson me qëllimin për ta bërë më të mirë produktin. Para së gjithash, synohet që të largohen klubet e mëdha nga ideja e një kampionati europian të destinuar vetëm për “të mëdhenjtë”.
Për këtë arsye po mendohet që të zgjerohet numri i pjesëmarrësve nga 32 në 36 skuadra, me një fazë të parë me 6 grupe me nga 6 skuadra. Në këtë mënyrë garantohen më shumë ndeshje dhe rrjedhimisht edhe më shumë të ardhura. Dy klubet që do të shkojnë deri në finale, për shembull, do të luajnë nga 17 ndeshje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.