Para

Forcohen valutat, euro fiton 3 pikë ndaj lekut (Lëvizja e Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare)

Nga Gazeta ‘SI’ - Euro ka rikuperuar disa pikë kundrejt monedhës shqiptare duke u këmbyer sot me 104.87 lekë. Nga një ditë më parë, ajo është rritur me pothuajse 3 pikë.

Të njëjtën tendencë ka ndjekur dhe monedha amerikane, e cila këmbehet me 94.33 lekë duke u forcuar me 1.9 pikë. Edhe valutat e tjera kanë fituar terren kundrejt lekut.

Java nisi optimiste për kursin e këmbimit, por rritja e euros nuk ishte domethënëse.

Java e shkuar e la euron në kufirin e 100 lekëve dhe pritshmëritë ishin që e hëna ta çonte atë në 99 lekë, por kjo nuk ndodhi.

Sipas të dhënave nga tregu, rritja ka ndodhur sepse Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë duke blerë euro dhe njësoj edhe bankat tregtare.

Ndonëse sezoni veror ndikon gjithmonë në zhvlerësimin e monedhave të huaja për shkak të flukseve turistike, ky zhvlerësim pati nisur që në fillim të vitit, aspak e zakontë.

Banka e Shqipërisë nuk parashikon stabilizim të kursit deri në përfundim të sezonit veror, ndonëse thekson se flukset janë të paparashikueshme.

Pak ditë më parë, eksportuesit e akuzuan BSH-në për mosreagim dhe mungesë transparencë në këtë situatë që sipas tyre është një “katastrofë ekonomike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë