Ekonomi

Fondi Monetar: Përjashtimet fiskale nxitin korrupsionin

Misioni i FMN-së ka mbërritur prej disa ditësh në Tiranë. Pas takimit me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ditën e hënë, ku nga burime konfidenciale FMN është shqetësuar në lidhje me mosrealizimin e të ardhurave, ditën e martë Misioni i FMN-së është takuar me studentë të Fakultetit Ekonomik.

FMN vazhdon të këmbëngulë se borxhi i lartë është shqetësues për ekonominë shqiptare duke e vënë në rrezik atë. Sipas FMN-së, koncesionet dhe kursi i zhbalancuar i këmbimit janë rrezik për rritjen e borxhit.

Për Kreun e Misionit të FMN-së, Svetlana Cerovic, Shqipëria është ndër vendet me borxhin më të lartë në rajon dhe rënia e borxhit ka ardhur falë zhvillimeve në kursin e këmbimit. Për të shmangur fenomene si korrupsioni, tha Cerovic, duhet të mënjanohen përjashtimet fiskale, ndërsa sistemi fiskal duhet bërë me i thjeshtë.

“Në rast se në dy vitet e ardhshme rritja ekonomike nuk do të jetë kaq e fortë, borxhi publik do të rritej. Zhvillimet në kursin e këmbimit dhe ndryshimi që mund të pësojnë normat e interesit përbëjnë gjithashtu rrezik për rritjen e borxhit.”

Nëse këto situata do të mund të ndodhin njëherazi, parashikohet që pas dy vitesh niveli borxhit në Shqipëri mund të jetë rreth 77% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Gjithashtu edhe zhvillimet në kursin e këmbimit përbëjnë një risk për borxhin, në rast të një forcimi të mundshëm të valutës, pasi Shqipëria ka rritur nivelin e borxhit në monedhë të huaj.

Ekspertët e FMN-së shprehën mendimin e tyre në lidhje me shpenzimet publike në sektorë me rëndësi si shëndetësi, arsimi dhe mbrojtja sociale që janë më të ulëta në rajon. Edhe për investimet, FMN i ka cilësuar me cilësi të ulët.

Ahmetaj stoik ndaj ndërkombëtarëve

Arben Ahmetaj në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Por Ministri i Financave Arben Ahmetaj vazhdon të qëndrojë stoik përballë ripërsëritrjes dhe këmbënguljes së Institucioneve Ndërkombëtare për riskun që i kanoset ekonomisë së vendit nga PPP-të. Gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e 2019-ës Ahmetaj i doli në mbrojtje këtyre koncesioneve.

Por theksoi se PPP- të e pakërkuara në një sërë sektorësh do të hiqen. “Konkretisht me anë të këtij ligji është propozuar që nga 1 korriku 2019 transporti dhe infrastruktura nuk do të ketë PPP me ofertë të pakërkuar. Po kështu do të bëhet heqja e bonusit për PPP të e pakërkuara, ndërkohë që dhe ato që do të mbeten, pra portet dhe aeroportet, do të hiqet bonusi”-.

Duke mbrojtur me forcë kontratat koncensionare PPP, ministri sqaroi se vlera totale e kontratave të nënshkruara është 807 miliardë lekë prej të cilave 391 miliardë lekë janë kontrata për hidrocentrale.

“PPP-të janë një alternativë që shton asetet por edhe mundëson shërbime për qytetarët duke sjellë në vëmendje disa vepra infrastrukturore por edhe partneritete tek shëndetësia. Por Rruga Tiranë-Elbasan e kontraktuar në 2011 nështë shembull i keq, deri në këtë moment ka kaluar vlerën me 100 mln dollarë. U nis me një kosto 304 milionë dollarë por ka shkuar 405 milionë dollarë. Nëse verifikohen, pretendimet ekstra kapin vlerën 36 milionë dollarë, 41.6 % më shumë në raport me prokurimin publik. Aksi Qafë Thanë-Lin-Pogradec ka kërkuar sërish më shumë para. Duke përjashtuar kontrata e PPP-ve në shëndetësi, të tjerat do të hedhin 1.1 miliardë euro.”

Ahmetaj po në lidhje me kontratat koncensionare u shpreh se edhe pse me kosto në buxhet janë trashëguar nga qeveria paraardhëse.

Kreu i Komisionit Erion Braçe kërkoi transparencë për të gjitha kontratat koncensionare PPP duke e vënë theksin tek ato që po skadojnë si pasojë e moszbatimit të kontratve.

Braçe: A ka rreziqe që këto të ardhura mos të realizohen dhe natyrisht pastaj detyrimi për të ruajtur tavanet buxhetore të prekin shpenzimet dhe në rast se do të prekin shpenzimet, në cilat sektorë do të prekim shpenzimet?

Ahmetaj: Ne vazhdojmë mbetemi me variantin konservator…

Braçe: Dmth ju jeni të bindur që këto të ardhura realizohen për herë të dytë

Ahmetaj: Jam shumë i bindur, kjo është arsyeja pse kemi vendosur atë…risqet gjithmonë janë nga shoku makro-ekonomik.

Kreu i komisionit të Ekonomisë kërkoi më shumë kujdes të përllogaritjes së kostove, duke marrë si shembull rrugën Thumanë-Kashar, vlera e së cilës ndryshoi disa herë.

Braçe: Në 2018 ka një vlerë, në 2019 në të njëjtin relacion ka një vlerë tjetër të shtuar, mund të dime arsyen pse është shtuar kjo vlorë?

Ahmetaj: Konkretisht Thumanë-Kashar është në nivel të avancuar.

Gjithashtu ai kërkoi të merren masa për të gjitha kontratat që po u mbaron afati.

Braçe: I referohem fjala bie kontratës koncesionare të kontrollit teknik të automjeteve, e cila është në skadim dhe për të cilën ne duhet të fillojmë të mendojmë, qoftë për shërbimin, qoftë për koston, apo qoftë për ato radhët kilometrike.

Komisioni i Ekonomisë dhe i Financave miratoi në parim pr/buxhetin dhe paketën fiskale për 2019, që pritet të diskutohet në seancën e parlamentit ditën e enjte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë