Treg

Fondeve të investimit në Shqipëri iu larguan anëtarët në fillim të 2023-shit

Nga Gazeta ‘SI’ - Fondet e investimeve në Shqipëri u rritën pak gjatë tremujorit të parë 2023, vlera e të cilëve u shtua me 500 mln lekë,  nga fundi i 2022-shit.

Numri i anëtarëve në këto fonde po ashtu pati rënie, duke rezultuar 28.772 në fund të marsit nga 28.945 që ishte në fund të dhjetorit.

Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 72% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 9% krahasuar me tremujorin paraardhës.

Zhvillimet në fillim të këtij viti janë vazhdim i rënies që e preku këtë treg në 2022-shin. Atëherë ai u përgjysmua me rreth 45%. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vlera e aseteve ne Fonde arriti 45.06 miliardë lekë në fund të vitit të shkuar, 35.8 mln më pak se në 2021-shin.

Edhe numri i anëtarëve pësoi po ashtu rënie, me rreth 30%, duke shkuar në 28.953 të tillë, në fund të dhjetorit 2022, nga më shumë se 40.000 që ishin një vit më herët.

Fondet e Investimit janë një alternativë investimi ku asetet mund të grupohen dhe të krijohen portofole investimi, të cilat cilësohen si shumë të vështira për t’u krijuar nga një investitor individual në mënyrë të pavarur. Kthimi nga investimi në fond është në varësi të kushteve në treg, karakteristikave të fondit dhe strategjisë së investimeve që fondi vë në zbatim. Fondi i investimit nuk mund të garantojë një kthim të caktuar, si në rastin e depozitave. Ato kanë vetëm një tarifë administrimi, vjetore.

Pak ditë më parë, FMN i rekomandoi AMF-së të ushtrojë më shumë kujdes dhe të fokusohet në rritjen e këtij segmenti si një element me rëndësi për tregun financiar vendas.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë