Para

FMN i jep Shqipërisë 190.5 mln $ për të përballuar dëmin e shkaktuar nga Covid-19

Bordi ekzekutiv i FMN-së miratoi ndihmën prej 190.5 milionë dollarësh për të mbështetur situatën emergjente të shkaktuar në Shqipëri si rezultat i koronavirusit.

Në njoftimin e FMN-së konstatohet vështirësia ekonomike që po kalon Shqipëria si rezultat i dy goditjeve të njëpasnjëshme atë të tërmetit të 26 nëntorit dhe këtë të koronavirusit. Gjithashtu FMN përshëndet paketën stimuluese fiskale të nxjerrë nga qeveria, e cila zë 1.4% të PBB-së, në mbështetje të bizneseve dhe familjeve të prekura nga koronavirusi.

"Bordi Ekzekutiv i FMN-së miratoi rreth 190.5 milionë dollarë ose 174 milionë euro, (100 për qind e kuotës) mbështetje emergjente për Shqipërinë nën Instrumentin e Shpejtë të Financimit (RFI) për të përballuar nevojat urgjente të bilancit të pagesave që rrjedhin nga shpërthimi i pandemisë së Covid-19 dhe pas tërmetit të fortë që goditi vendin më parë", thuhet në njoftim.

RFI-ja u ofron ndihmë të shpejtë financiare vendeve anëtare që përballen me një nevojë urgjente për mbulimin e bilancit të pagesave, pa pasur nevojë për një program ekonomik apo rishikime.

"Për shkak të dy goditjeve të njëpasnjëshme (tërmeti dhe pandemia Covid-19) aktiviteti ekonomik në Shqipëri mund të pësojë tkurrje domethënëse në vitin 2020, për tu ndjekur nga një rimëkëmbje në vitin 2021. Duke parë situatën që është në zhvillim të vazhdueshëm, këto parashikime janë subjekt i një pasigurie të lartë dhe rreziqe me kah nga ulja", vijon njoftimi.

Tao Zhang, zv/drejtori i përgjithshëm dhe kryetari në detyrë tha se këto dy goditje të njëpasnjëshme pritet që të krijojnë presione të mëdha fiskale dhe një nevojë urgjente për bilancin e pagesave përkundrejt shtrëngimit të kushteve financiare botërore.

“Përgjigja e autoriteteve ndaj goditjeve ka qenë në kohën dhe drejtimin e duhur. Në përgjigje të pandemisë Covid-19, autoritetet kanë ndërmarrë masa shtrënguese për kontrollin dhe ngadalësimin e përhapjes dhe kanë shpallur një paketë fiskale prej 1.4 perqind të PBB-së për të siguruar kujdesin e duhur shëndetësor dhe mbështetje për familjet dhe bizneset e prekura. Vendimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën kyçe të interesit është gjithashtu i mirëpritur", shtoi ai.

Por FMN thotë se për të kufizuar ndikimin e Covid-19 është e nevojshme të rritet në mënyrë të konsiderueshme defiçi fiskal në 2020. "Eshtë e rëndësisë kritike që të sigurohen shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor dhe mbështetje për qytetarët dhe firmat që janë dëmtuar nga pandemia Covid-19. Autoritetet shqiptare mbeten të angazhuara për të siguruar stabilitetin makroekonomik. Kur këto goditje të jenë tejkaluar, do të jetë e rëndësishme që borxhi të kthehet në një trajektore të qartë rënëse", deklaron FMN.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë