Treg

Fluturimet e gushtit në Shqipëri kaluan nivelin e 2019-s dhe të të gjitha vendeve europiane

Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka shënuar rritje të numrit të fluturimeve gjatë muajit gusht të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Eurostat, fluturimet komerciale në vendin tonë gjatë gushtit u rritën me 23%, në raport me të njëjtin muaj të 2020-ës, ndërkohë që të gjithë vendet e tjerë të Europës, ndonëse kanë shënuar përmirësim, rezultojnë me rënie të fluturimeve, në raport me 2019-ën që nuk ishte një vit pandemik.

Rënien më të madhe të fluturimeve në të njëjtën periudhë e pati Sllovakia me 60% rënie, ndjekur nga Irlanda me 54% dhe Mbretëria e Bashkuar me 52%.

Sipas Eurostat, në gusht 2021, numri i fluturimeve në Bashkimin Europian u rrit me 48% në krahasim me gushtin 2020, por këto shifra  janë ende shumë poshtë niveleve të para-pandemisë.

Në raport me gushtin e vitit 2019, numri i fluturimeve komerciale është 31% më i ulët. Në shifra,  numri i fluturimeve komerciale ishte 479.000 në gusht 2021, krahasuar me 325.000 në gusht 2020 dhe 696.000 në gusht 2019. Për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19, vendet në mbarë botën kanë marrë një sërë masash kufizuese që nga fillimi i vitit 2020.

Edhe më herët, në një raport nga Bloomberg, Aviacioni Civil në Shqipëri kishte pasur ecuri pozitive gjatë pandemisë, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të Europës.

Gjatë muajit gusht, njësoj si edhe në muajt paraardhës, Shqipëria nuk aplikoi asnjë masë kufizuese për hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë.  Masat kufizuese si pasaporta e vaksinimit apo testi PCR, hynë në fuqi vetëm në datën 6 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë