Para

Fluks i lartë i parave CASH. Euro prek kufijtë e 102 lekëve. Dobësohen të gjitha valutat

Nga Gazeta 'SI' - E hëna e fundit e nëntorit ka nisur negativisht për monedhat e huaja, të cilat janë dobësuar edhe më shumë ndaj lekut.

Sipas kursit zyrtar, një euro këmbehet me 102.3 lekë, me një rënie 0.5 pikë nga e premtja. Të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe monedhat e tjera. Dollari këmbehet me 93.4 lekë dhe paundi britanik me 117.3 lekë.

Panorama po bëhet e ngjashme me atë të muajve të verës, kur ishte dhe piku i sezonit turistik. Burime nga sektori bankar, tregojnë për Gazetasi.al se ka një fluks të lartë të cash-it, kryesisht euro që po dominon tregun. Vlerat janë të përafërta me ato të verës.

Momentalisht, përshkak të situatës së mirë hidrike, KESH ka shitur energji elektrike jashtë Shqipërisë, duke sjellë brenda saj miliona euro fitime për një periudhë të shkurtër kohore. Së fundmi, ministria e Financave realizoi blerjen “buyback” të Eurobondit të lëshuar në 2018-n, rreth 133 mln euro.

Gjithsesi, edhe më herët, në prag të festave të fundvitit, euro ka pasur një tendencë rënëse, për shkak të rritjes së konsumit individual dhe qarkullimit të bizneseve, shtuar edhe emigrantët që kthehen në atdhe.

Një javë më parë, Banka e Shqipërisë hyri në treg dhe bleu 16.5 mln euro, por nuk pati asnjë efekt në kursin e këmbimit. Pak ditë më vonë, eksportuesit ripërsëritën se plaga e tyre e krijuar nga rënia e monedhës europiane sa vjen e zgjerohet. Ata i kërkuan qeverisë t’i rimbursojë dhe t’i ndihmojë teksa argumentonin humbjet miliona euroshe. Më herët, eksperti i ekonomisë, Klodjan Muço tregoi për Gazetasi.al se në Shqipëri janë rreth 50 mijë të punësuar, të deklaruar, që paguhen në euro dhe preken drejtëpërdrejt nga luhatjet e euros.

"Këta janë humbësit e dytë kryesorë pas eksportuesve. Atyre u janë reduktuar të ardhurat edhe pse paga ka mbetur e njëjtë. Të ardhurat i kanë në euro, por shpenzimet i kanë në lekë dhe u rezultojnë më pak", shpjegon Muço.

Forcimi i lekut ndaj valutave të huaja, kryesisht euros, është komentuar si pasojë e parasë informale në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë