Jete & Stil

Fjalët dhe veprimet e njerëzve mund të formojnë trurin tuaj. Një neuroshkencëtare shpjegon se si

Lisa Feldman Barrett, një neuroshkencëtare nga Universiteti i Bostonit ka shpjeguar për ndikimin që kanë fjalët e të tjerëve në jetën tonë.

Ne njerëzit jemi një specie shoqërore. Ne jetojmë në grupe. Ne kujdesemi për njëri-tjetrin.

Aftësia jonë për të bashkëpunuar ka qenë një avantazh i madh adaptues. Kjo na ka lejuar të kolonizojmë praktikisht çdo habitat në Tokë dhe të jemi “zotët e kësaj toke”.

Pjesë e të qenurit një specie sociale, rezulton se është diçka që ndërhyn shumë në trurin e njeri-tjetrit, mënyrat në të cilat truri ynë menaxhon burimet që përdorim çdo ditë. Gjatë gjithë jetës, pa vetëdije, ne ndikojmë tek të tjerët dhe të njëjtën gjë bëjnë dhe të tjerët tek ne. Kjo ka të mirat dhe të këqijat, si dhe implikime të thella për mënyrën se si e jetojmë jetën tonë.

Truri jonë ndryshon pas përvojave të reja, një proces i quajtur “plasticitet”. Pjesët mikroskopike të neuroneve ndryshojnë gradualisht çdo ditë. Pra, pak nga pak, truri fillon dhe merr formë ndërsa ndërveprojmë me të tjerët.

Disa njerëz ndikohen më pak nga të tjerët por në fund, të gjithë e kanë dikë që kontribuon në strukturën dhe funksionimit të trurit.

Kur jeni me dikë që ju intereson, frymëmarrja juaj mund të sinkronizohet, ashtu si rrahjet e zemrës, pavarësisht nëse jeni në bisedë të thjeshtë ose në një debat të ashpër. Kjo lloj lidhje fizike ndodh midis foshnjave dhe prindërve, terapistëve dhe klientëve, madje edhe njerëzve që janë në një klasë joga ose këndojnë në një kor së bashku.

Nëse ngrini zërin ose thjesht vetullën tuaj, ju mund të ndikoni në atë që ndodh brenda trupave të njerëzve të tjerë, siç janë rrahjet e zemrës. Nëse një i dashur ka dhimbje, ju mund t'ua lehtësoni vuajtjet thjesht duke i mbajtur dorën.

Të qenit një specie shoqërore ka të gjitha llojet e avantazheve për ne njerëzit, përfshirë faktin që jetojmë më gjatë nëse kemi marrëdhënie të ngushta dhe mbështetëse me të tjerët. Studimet tregojnë se nëse ju dhe partneri juaj mendoni se marrëdhënia juaj është intime dhe e kujdesshme, se jeni të përgjegjshëm ndaj nevojave të njëri-tjetrit dhe se jeta duket e kënaqshme kur jeni së bashku, të dy keni më pak gjasa të sëmureni.

Dhe nëse tashmë jeni i sëmurë me një sëmundje të rëndë, të tilla si kanceri ose sëmundja e zemrës, ka më shumë të ngjarë të përmirësoheni. Këto studime u kryen në çifte të martuara, por rezultatet duket se janë të vlefshme edhe për miqësi të ngushta apo dhe për lidhjet që kanë njerëzit me kafshët shtëpiake.

Në përgjithësi, të qenit një specie shoqërore është mirë për ne, por ka edhe disavantazhe. Ne gjithashtu sëmuremi dhe vdesim më herët kur vazhdimisht ndihemi të vetmuar. Pa të tjerët që ndihmojnë në rregullimin e trurit tonë, ne mbajmë një barrë shtesë brenda.

A keni humbur ndonjëherë dikë përmes një ndarjeje ose një vdekjeje dhe jeni ndjerë sikur të kishit humbur një pjesë të vetes? Kjo sepse e keni bërë, keni humbur një burim të mbajtjes së ekuilibrit të sistemeve tuaja trupore.

Një disavantazh tjetër është ndikimi i të tjerëve në ndjeshmëri. Kur keni ndjeshmëri ndaj njerëzve të tjerë, truri juaj parashikon se çfarë ata do të mendojnë, ndiejnë dhe bëjnë. Sa më të njohur të jenë njerëzit e tjerë për ju, aq më me efikasitet truri juaj parashikon “betejat e tyre të brendshme”. I gjithë procesi ndihet i natyrshëm, sikur të lexonit mendjen e një personi tjetër.

Por ka një problem kur njerëzit janë më pak të njohur për ju pasi mund të jetë më e vështirë të kesh ndjeshmëri. Ndonjëherë ndjejmë një keqardhje për dikë që po kalon diçka edhe pse nuk e njohim por ne prap, sforcohemi më shumë në këtë rast.

Ne gjithashtu ‘rregullojmë’ njëri-tjetrin me fjalë. Një fjalë e mirë mund t'ju qetësojë, si kur një mik ju bën një kompliment në fund të një dite të vështirë. Dhe një fjalë e urryer mund të bëjë që truri juaj të parashikojë kërcënimin dhe të përmbytë rrjedhën tuaj të gjakut me hormone.

Fuqia e fjalëve mbi biologjinë tuaj mund të përfshijë dhe distanca të mëdha. Ti mund të dërgosh një mesazh “Të dua” dikujt që jeton në një shtet tjetër, dhe edhe pse mund të jetë larg dhe nuk e dëgjon, ky mesazh do t’i ndryshojë rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjen.

Ose, dikush mund të shkruajë diçka si "A është mbyllur dera juaj?" dhe shanset janë që kjo të ndikojë në sistemin tuaj nervor në një mënyrë të pakëndshme.

Sistemi juaj nervor mund të ndikohet jo vetëm nga distanca, por edhe nga vitet. Ju mund të ndikoheni nga libra që janë shkruar shekuj më parë. për shembull, njerëz të ndryshëm jetojnë në abzë të asaj që shkruhet në Bibël ose Kuran.

Pse fjalët që hasni kanë efekte kaq të mëdha brenda jush? Sepse shumë rajone të trurit që përpunojnë gjuhën kontrollojnë gjithashtu brendësinë e trupit tuaj, duke përfshirë organet dhe sistemet kryesore që menaxhojnë trupin tuaj. Këto rajone të trurit janë të përfshira në atë që shkencëtarët e quajnë "rrjeti gjuhësor" dhe drejtojnë rrahjet e zemrës suaj. Ato rregullojnë glukozën që hyn në qarkullimin e gjakut për të furnizuar qelizat tuaja. Fuqia e fjalëve nuk është metaforë. Është në trurin tonë. Fjalët, pra, janë mjete për rregullimin e trupave njerëzorë. Fjalët e njerëzve të tjerë kanë një efekt të drejtpërdrejtë në aktivitetin tuaj të trurit dhe sistemet tuaja trupore dhe fjalët tuaja kanë të njëjtin efekt mbi njerëzit e tjerë.

A do të thotë kjo se fjalët mund të jenë të dëmshme për shëndetin tuaj? Në doza të vogla, jo por kur dikush thotë gjëra që nuk ju pëlqejnë, ju fyen apo edhe kërcënon, ju mund të ndiheni shumë keq.

Por nëse jeni të stresuar pa pushim për këtë arsye, efektet mund të jenë shumë më të mëdha. Nëse vazhdimisht luftoni stresin dhe prap nuk jeni mirë, ky quhet stres kronik dhe dëmton.

Me kalimin e kohës, gjithçka që kontribuon në stresin kronik mund të prekë gradualisht trurin tuaj dhe të shkaktojë sëmundje në trupin tuaj.

Është e rëndësishme të kuptohet se truri i njeriut nuk duket se bën dallimin midis burimeve të stresit kronik. Nëse trupi juaj është i lodhur nga rrethanat e jetës, sëmundjet apo vështirë të ndryshme, truri juaj bëhet më i prekshëm ndaj stresit të të gjitha llojeve.

Është si fëmijët që kërcejnë në një shtrat, shtrati mund të përballojë 10 fëmijë që kërcejnë, por i 11-ti e thyen.

Ta themi thjesht, një periudhë e gjatë e stresit kronik mund të dëmtojë trurin e njeriut.

Nëse njerëzit ju fyejnë, fjalët e tyre nuk do të dëmtojnë trurin tuaj për herë të parë ose të dytë ose ndoshta edhe të njëzetën.

Por nëse jeni i ekspozuar ndaj agresionit verbal vazhdimisht për muaj ose nëse jetoni në një mjedis që ndikon gjithë kohën, fjalët mund të dëmtojnë fizikisht trurin tuaj. Jo sepse jeni i dobët por sepse jeni njeri.

Sistemi juaj nervor është i lidhur me sjelljen e njerëzve të tjerë, në të mirë ose në të keq.

Gjëja më e mirë për sistemin tuaj nervor është një njeri tjetër dhe gjëja më e keqe për sistemin tuaj nervor është një tjetër njeri.

Burimi: TED. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë