Lajme

Fjala për qytetarët, sot votohet për Parlamentin e ri

Votimi ka nisur normalisht në pjesën më të madhe të qendrave të votimit, pavarësisht problemeve teknike, apo mungesë të operatorëve teknikë për përdorimin e pajisjeve të identifikimit elektronik.

Në të tilla raste, gazeta “Si” mëson se komisionerët e qendrave të votimit janë udhëzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të aplikojnë identifikimin tradicional duke verifikuar votuesin përmes numrit të kartës së identitetit me emrin në listat e zgjedhësve.

Nisja e procesit po vazhgohet në terren edhe nga përfaqësuesit e SHBA dhe BE në Tiranë. Vetë Ambasadorja Yuri Kim ndodhet në Shkodër, njëri nga dy qarqet ku kandidon Tom Doshi, ndërsa Ambasadori i BE, Luigi Soreca në Elbasan, ku u regjistrua incidenti më i rëndë gjatë fushatës, që solli vrasjen e Pjerin Xhuvanit.

***

Pasi politika tha të sajën për 30 ditë me radhë, sot duke nisur prej orës 07:00 e deri në orën 19:00 fjalën e tyre do ta thonë qytetarët.

Në total lista e zgjedhësve përbëhet nga 3,6 milionë qytetarë, por rreth 1,7 milionë e tyre janë emigrantë, që edhe këtë herë nuk do të votojnë, me përjashtim të atyre që kanë marrë mundimin të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të ushtruar këtë të drejtë. Por, edhe në këtë rast, për shtetasit shqiptarë që kanë hyrë në vend nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut është në fuqi detyrimi i vetëkarantinimit, i vendosur nga Komiteti Teknik. Gjithashtu, edhe 23,625 të infektuarit aktivë me Covid nuk do të mund të votojnë.

Në zgjedhjet e 2017-ës, që u karakterizuan nga një pjesëmarrje e ulët në votime, rreth 1,6 mln qytetarë votuan, ose 46,7 për qind e votuesve.

Në të gjithë vendin janë 5199 qëndra votimi dhe 92 Zona të Administrimit të Zgjedhjeve, ose vende grumbullimi dhe numërimi të tyre. KQZ ka shpërndarë materialet e nevojshme, përfshirë këtu edhe fletët e votimit dhe pajisjet logjistike gjatë të premtes dhe të shtunës. I gjithë ky proces, sipas deklaratave të KQZ-së vijoi i qetë dhe pa asnjë incident.

Për herë të parë identifikimi i zgjedhësve do të bëhet në të gjithë vendin në mënyrë elektronike, ndërkohë që për rreth 23 mijë zgjedhës të njësisë numër 10 në Tiranë do të aplikohet edhe votimi elektronik, si pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit të vitit të kaluar.

KQZ ka njoftuar se rezultati për këtë njësi do të shpallet brenda orës 08:00 të ditës së hënë, ndërsa për rezultatin në rang kombëtar, Komisioneri Celibashi ka vënë si objektiv 48 orë pas mbylljes së qëndrave të votimit.

Për ecurinë e gjithë procesit të votimit dhe më pas edhe për numërimin qëndroni me www.gazetasi.al, që veç lajmit të fundit për zhvillimet deri në mbylljen e qëndrave të votimit do të sjellë për lexuesin edhe rezultatet në kohë reale nga çdo qendër numërimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë