Lajme

Fitorja në njësinë 10, Veliaj: Po përgatitemi për fitore në të 42 njësitë e Tiranës

Pas daljes së rezultatit në njësinë 10 në Tiranë ku PS rezultoi fituese, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se PS po përgatitet për fitore në të 42 njësitë e kryeqytetit dhe se ky rezultat shërben si barometër.

Ai u bën apel numëruesve të të dy kampeve politike që të mos ndalin procesin, por të vijojnë punën që rezultati përfundimtar të dalë sa më parë, si dhe të pranohet rezultati.

“Fitorja jonë është e sigurt. Po përgatitemi për fitore në të 42 njësitë e Tiranës dhe duke pasur parasysh se ka qenë një natë e gjatë do t’i ftoja të gjithë që janë përfshirë në procesin e numërimit, unë ndaj mendimin se kishim zgjedhje të shkëlqyera dhe duhet të pranojmë rezultatin, përfshirë dhe numëruesit. Të gjithë numëruesit do të bëjnë maksimumin për të punuar me orare të zgjatura. Sa më shpejt të mbyllet dhe sa korrekt të jetë aq më shpejt i përveshim mëngët për punë të mira dhe për qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.

Veliaj shtriu dorën e bashkëpunimit edhe për ata që nuk e votuan PS, në Njësinë 10 dhe tha se do t’u shërbejë me përulësi.

“Për të gjithë ata që votuan masivisht dhe na dhanë fitore në njësinë 10 unë i falënderoj nga zemra që zgjodhën të na jepnin një mandat të fortë. Ata që nuk na votuan do t’u shërbejmë me përulësi dhe do jemi aty.  T’u shtrijmë dorën edhe atyre që nuk na votuan, ka më shumë gjëra që na bashkojnë se na ndajnë, fitoi bindja jonë dhe jo e tyre.  Pas kësaj të fitojmë një fushatë vëllazërie e bashkimi. Ata që mendojnë ndryshe nga ne por kanë të njëjtën ambicie”, përfundoi Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë