Para

Fitimi i sektorit bankar u rrit me 27% për 6-mujorin

Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se fitimet e sektorit bankar sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) u rritën edhe për tremujorin e dytë të vitit.

Shifrat e raportuara nga bankat tregojnë se fitimi progresiv neto në fund të gjashtëmujorit arriti në 13.2 miliardë Lekë, duke u rritur me katër miliardë lekë krahasuar me fundin e tremujorit të parë.

 Fitimi i sektorit bankar është gjithashtu në nivele më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me 27% më shumë.

Nga 12 banka të sektorit, 11 prej tyre rezultonin me fitim në fund të 6-mujorit të parë.

Në vlerë absolute, fitimin më të larta vazhdon të ketë BKT, me 6.1 miliardë Lekë ose 52% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pas BKT, e dyta me diferencë të madhe renditet Raiffeisen, që raporton një fitim neto prej 2.4 miliardë Lekësh, në rritje vjetore me 11%.

Banka e fundit që ka raportuar fitime sipër kufirit të 1 miliardë Lekëve është OTP Albania, me 1.5 miliardë Lekë, në rritje me 73% krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, fitimi i OTP Albania do të korrigjohet me rezultatin negativ të Alpha Bank, që për 6-mujorin ishte e vetmja bankë që raportoi humbje, në vlerën e 176 milionë Lekëve. Blerja e Alpha Bank nga OTP u finalizua në 18 korrik dhe pritet që bashkimi mes dy bankave të realizohet deri në fund të këtij viti.

Sipas standardeve lokale të BSH, fitimi i sektorit deri në fund të 5-mujorit rezultonte në rënie vjetore me 29%. Diferencat lidhen kryesisht me metoda të ndryshme që ndiqen për llogaritjen e fondeve rezervë dhe në zbutjen e rrezikut të kredisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë