Politike

Firmoset marrëveshja mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë/ Nga 1 marsi, punëtorët do të lëvizin lirisht

Qeveria shqiptare, serbe dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë firmosur në Shkup marrëveshjen që mundëson lëvizjen e lirë të punëtorëve mes vendeve respektive.

Detajet e marrëveshjes së dakordësuar më herët, u finalizuan ditën e djeshme gjatë samitit në Shkup mes liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarëve të BE për rritjen ekonomike të rajonit.

Protokolli i nënshkruar ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes dhe kushteve të saj për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

“Kemi pasur disa gjëra të rëndësishme, gjithmonë ka detaje të pakëndshme, por nuk dua të flas për këtë. Dhe këtë e kemi pritur me muaj të tërë, që do të thotë se nga 1 marsi më në fund duhet të hyjë në fuqi ajo për të cilën folëm, që është një treg krejtësisht i lirë i punës në vendet e Ballkanit të Hapur – Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një lajm i madh dhe i rëndësishëm dhe mendoj se do të kontribuojë shumë në krijimin e një ambienti më të mirë biznesi për kompanitë vendase dhe të huaja, për të kapërcyer problemin me mungesën e fuqisë punëtore dhe për krijimin e një tregu pune që është jo më gjashtë apo shtatë milionë banorë, por nëse shtoni Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne po i afrohemi 11 milionë banorëve”, tha Vuçiç.

Marrëveshja është në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur edhe pse kryeministri Rama prej kohësh e ka evituar vijimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë