Politike

Firmoset marrëveshja me AADF për 100 laboratorët e parë SMART në Shqipëri

Gazeta Si - Qeveria shqiptare ka firmosur sot një marrëveshje me Fondacionin Shqiptaro-amerikan për Zhvillim (AADF). Marreveshja parashikon krijimin e 100 laboratorëve të parë SMART në shkollat 9-vjeçare.

“Është e rëndësishme të shpenzojmë kohën duke mësuar. Investimi jonë është 3.375 milionë dollarë, shpresojmë që këto para të tërheqin para të tjera nga OJF që duan të na bashkohen.

Jam i lumtur që e nisim në këtë mënyrë, jam mirënjohës për partneritetin që kemi krijuar me qeverinë”, - u shpreh drejtori i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Grenoff.

Michael Grenoff, drejtori i AADF. Gazeta Si, 17 maj 2022

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se pas projektit për 100 laboratorët e parë SMART nesër do të prezantohet një tjetër projekt. Bëhet fjalë për programin e ri të kodimit në arsimin parauniversitar.

“Sot jemi për të filluar një proces transformues, që është pjesë e revolucionit tonë dixhital. Ku proces u nxit nga nxënësit, me të cilët patëm komunikim intensiv të koordinuar nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, lidhur me domosdoshmërinë e çuarjes në një nivel tjetër të laboratorëve të informatikës.

Duam të shkojmë drejt plotësimit të të gjithë laboratorëve, por kërkon financë dhe njohje të procesit. Nesër do lancojmë programin e kodimit, të mësuarit të kodimit për nxënësit e arsimit parauniversitar. Do fillojë me numra relativisht të vegjël, por duam ta kthejmë në një lëvizje rinore.

Të dyja këto punë shkojnë paralelisht me çfarë po bëjmë me fondin për Piramidën, që do të hapë dyert duke u transformuar në qendrën më të madhe të inovacionit dhe për t’u bërë streha për të rinjtë që do shkojnë më tutje në fushën e teknologjisë”, - u shpreh kryeministri Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë