Politike

Financieri i bandës që trazoi politikën

Tetorin e vitit të kaluar, policia  sekuestroi 4 tonë marijuanë në fshatin Babicë të Vlorës. Mes të arrestuarve ishte edhe shtetasi Nezar Seiti. Në ato ditë, Seiti, të paktën mediatikisht shihej si një anëtar i zakonshëm i një grupi të strukturuar trafiku droge drejt brigjeve italiane.

Drejtuesit e grupit  ishin arrestuar më herët në Katania nga autoritetet italiane, pas një hetimi të nisur që në vitin 2014 dhe përgjimeve të shumta. Bëhej fjalë për grupin e Habilajve dhe mes përgjimeve edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Seiti u ndalua nga policia shqiptare dhe më vonë u mësua se ai nuk ishte anëtar dosido i bandës, por njeriu që bënte llogaritë; pra financieri i parave që siguroheshin nga trafiku i drogës.

Për këtë arsye, ndaj Seitit nisi hetimet edhe Prokuroria për Krime të Rënda shqiptare, që e akuzonte për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe në seancat gjyqësore kërkoi arrest me burg pa afat për të.

Seiti u arrestua pasditen e së enjtes 19 tetor 2017, në një zonë periferike të qytetit bregdetar, ndërkohë që në dosjen voluminoze të prokurorisë së Katanias, Seiti, përmendet në disa episode. Nisur nga përgjimet ambientale, por edhe telefonike rezulton se Nezar Seiti lëvizte shpesh nga Shqipëria drejt Italisë dhe anasjelltas dhe kishte detyra të siguronte ambiente dhe pjesën logjistike të grupit të Habilajve. Në një bisedë me një anëtarin tjetër të grupit, Meridian Sulaj në janar të 2017-ës Seiti thotë se bashkëpunimi me policinë nuk po shkon mirë.

“Nuk i kemi punët mirë me ata të shtetit. E kam telefononin në shtëpi..dhe nuk na telefonojnë më ato të degës së brendshme, se unë kështu i quaj ata, dega e brendshme,…kur kalojnë këta të policisë, “po kalon sigurimi i shtetit ”, janë disa prej frazave të përdorura prej tij.

Vetë i pandehuri, përmes avokatit të tij mbrojtës kishte kërkuar që të ekstradohej në Itali, ku kërkohej gjithashtu për të njëjtat akuza. Pala italiane kishte dorëzuar në Tiranë dosjen në ngarkim të Seitit dhe kërkesën për ekstradimin e tij.

Në fund të janarit të këtij viti ndodhi çudia. Seiti u transferua në Katania edhe pse ligji shqiptar e ndalon ekstradimin e një personi nën hetim nga autoritetet shqiptare, për më tepër kur ndaj tij gjykatat kishin dhënë vendimin arrest me burg.

Ministrja e Drejtesise, Etilda Gjonaj, duke folur gjate nje konference shtypi

Zyra e shtypit e ministres së Drejtësisë u shpreh se janë respektuar të gjitha procedurat për ekstradimin e Seitit, duke iu referuar një vendimi të dhjetorit të vitit të kaluar të Gjykatës së Tiranës që lejonte ekstradimin e tij.

Por, ekstradim ekstra-procedurial, me firmën e ministres së Drejtësisë injoroi vendimet e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apelit të Krimeve të Rënda si dhe një vendim të Gjykatës së Lartë, të cilat kishin vendosur arrest me burg për Seitin.

Ekstradimin ekstra-procedurial Partia Demokratike e interpretoi si përpjekje e mazhorancës dhe të Prokurorisë për t’i mbyllur gojën dëshmitarit kyç në dosjen “Tahiri”.

“Janë bërë të gjithë bashkë në këtë komplot, në këtë konsipracion për t’i mbyllur gojën dëshmitarit kyç në momentin që ky pranoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë”, deklaronte në një nga seancat parlamentare, kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Opozita njoftoi padinë ndaj ministres Etilda Gjonaj për shkelje të ligjit, ndërsa në lëvizje u vu edhe Prokuroria, që mori në pyetje avokatin shqiptar të Seitit.

Avokati Detar Hysi është pyetur në prokurorin e Durrësit, e cila nisi hetimet për të verifikuar procedurat e ndjekura për ekstradimin e Seitit. Edhe pse Seiti ka qëndruar më shumë se tre muaj i paraburgosur në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk arriti t’i merrte atij asnjë dëshmi për aktivitetin kriminal për të cilin dyshohet.

Prokuroria e Krimeve të Rënda i dërgon letërporosi autoriteteve italiane për të marrë në pyetje Nezar Seitin, i dyshuari si financieri i grupit të Habilajve në trafikun ndërkombëtar të kanabisit.

Pak javë pas ekstradimit të tij të papritur drejt Italisë, hetuesit shqiptarë kërkuan ndihmën e kolegëve italianë për të patur dëshminë e Seitit, që nuk arritën ta merrnin për më shumë se tre muaj në Shqipëri.

Kryeprokurorja Arta Marku

Seanca e parë gjyqësore për grupin e Habilajve u zhvillua në fund të muajit maj. Në ato ditë, në Shqipëri ndodhnin ndryshime të mëdha në krye të Prokurorisë për Krimet e Rënda, ku Arta Marku zëvendëson Besim Hajdarmatajn me Donika Prelën.

Në seancën e parë gjyqësore në Katania u ulën 14 të akuzuar, mes të cilëve ishin Moisi Habilaj, Meridian Sulaj, Fatmir Minaj dhe të tjerë italianë. Habilaj konsiderohet si kreu i organizatës kriminale, që ka zhvilluar një biznes miliona eurosh, të ndara në një tryezë me krerë lokalë të narkotrafikut. Mbrojtja e të pandehurve kërkoi gjykim të shkurtuar për të 14 të dyshuarit për trafik ndërkombëtar marijuane, kryesisht në aksin Shqipëri-Katania.

Prokuroria italiane përfshiu në fashikujt e dosjes në ngarkim të tyre, me kërkesë të prokurorit publik Andrea Bonomo, edhe procesverbalet e marrjes në pyetje gjatë ditëve të kaluara të protagonistëve Habilaj, Seiti dhe Sulaj, nga prokurorët e Krimeve të Rënda të Tiranës.

Por, Nezar Seiti nuk ishte pjesë e këtij procesi, madje ai as nuk mbahej në të njëjtin burg me anëtarët e tjerë shqiptarë e italianë të grupit të trafikut dhe së fundmi ka lënë qelinë pas një vendimi të gjykatës italiane që zbuti arrestin nga arrest me burg në arrest shtëpie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë