Financa Personale

Financat dorëzohen, tërheqin udhëzimin për bllokimin e llogarive bankare për ortakët dhe administratorët

Ministria e Financave tërheq udhëzimin e procedurave tatimore që sanksiononte bllokimin e llogarive bankare të ortakëve, aksionarëve dhe administratorëve, për të të përmirësuar pikën 90.1 të tij.

Reflektimi i Financave erdhi pas kundërshtimit në unison të 22 Shoqatave të Biznesit dhe Dhomës së Tregtisë, e po ashtu edhe zërit të medieve.

Dy ditë më parë Gazeta “Si” i kërkoi Ministrisë së Financave një intervistë sqaruese në lidhje me udhëzimin në fjalë për të sqaruar leverdisshëmrinë e udhëzimit dhe efektet e tij, por ministria kundërshtoi duke argumentuar se nuk kishte burime njerëzore në dispozicion për këtë çështje pasi janë të karantinuar me COVID-19.

Por në të njëjtën kohë financat i kanë thënë revistës Monitor se pas tërheqjes së udhëzimit, po punohet për ndryshimet.

“Udhëzimi nr.44 që vendoste arbitraritetin e administratës tatimore mbi llogaritë personale të ortakëve, aksionarëve dhe administratorëve u vendos të modifikohet”, ka shpjeguar për Monitor, Kryetarja e BDHTISH-së, znj. Ines Muçostepa.

E iniciuar nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë (BDHTISH), në letrën drejtuar më herët ministres të Financave, Denaj dhe ministrit për Mbrotjen e Sipërmarrjes, përfaqësuesit e sipërmarrjes theksonin se udhëzimi nr.44 krijonte arbitraritet dhe pasiguri në klimën e biznesit për investitorët e huaj.

Ministria e Financave pak kohë më parë do të vendoste të ndryshonte procedurat tatimore për urdhrat e bllokimit të llogarive bankare që lëshon administrata tatimore për ata tatimpagues që nuk shlyejnë në afat detyrimet.

Në udhëzimin e ndryshuar përcaktohej se nëse pas zbatimit të masave shtrënguese, duke përfshirë sekuestrimin dhe shitjen e pasurive, subjektet nuk shlyejnë detyrimet, shuma e papaguar i transferohet ortakut, aksionerit dhe administratorit.

Mospagimi i detyrimit në kohë, sipas procedurave të ndryshuara nga Ministria e Financave, do të penalizonte ortakun dhe administratorin e kompanisë, të cilëve do t’u bllokoheshin llogaritë dhe depozitat bankare. “Pas zbatimit ndaj subjektit të gjitha masave shtrënguese për mbledhjen me forcë të detyrimit (duke përfshirë edhe shitjen e pasurisë së sekuestruar),detyrimet tatimore të personit juridik nuk shlyhen plotësisht, administrata tatimore e transferon detyrimin tatimor të mbetur të subjektit tek ortaku, aksionari dhe administratori. Për këtë qëllim, fillimisht administrata tatimore garanton mbledhjen e detyrimit nëpërmjet vendosjes së urdhër bllokimit mbi llogaritë dhe depozitat e ortakëve, aksionarëve dhe administratorëve të subjektit dhe më pas zbaton ndaj tyre masat shtrënguese të mbledhjes me forcë të parashikuara në ligj. Edhe në këtë rast, urdhër bllokimi si masë preventivuese vendoset sipas procedurave të këtij udhëzimi”, thuhej në dokumentin e botuar në Fletoren Zyrtare.

Udhëzimi parashikonte se për rastet kur detyrimi nuk shlyhet plotësisht, urdhri i bllokimit nga administrata tatimore do të jetë i vlefshëm edhe për llogaritë bankare që nuk kanë gjendje lekësh.

Udhëzimi parashikonte gjithashtu se urdhrat e bllokimit të llogarive bankare që lëshohen nga Drejtoria Tatimore bankave mund t’u dërgohet me postë ose në rrugë elektronike. Sakaq për rastet kur administrata tatimore lëshon urdhra bllokimi për më shumë se 20 tatimpagues, në të njëjtën ditë, ata duhet të dërgohen në format elektronik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë