Lajme

Finale gjigantësh në Ligën e Kombeve, Ronaldo kundër Van Dijk

“Estadio do Dragao” pret sot në mbrëmje, në orën 20:45, finalen e Ligës së Kombeve. Portugalia dhe Holanda sfidojnë njëra-tjetrën për fitimin e trofeut dhe të 10 milionë eurove, që është shpërblimi për fituesin e këtij kompeticioni. Një sfidë e vërtetë gjigantësh. Kristiano Ronaldo kërkon të fitojë me çdo kusht në shtëpinë e tij, por holandezët, pas eliminimit të Anglisë në gjysmëfinale, nuk duan ta humbasin shansin për të hapur një faqe të re në historinë e tyre.

“Të gjithë të bashkuar mund ta fitojmë finalen e Ligës së Kombeve. Në moshën 34-vjeçare ndihem shumë mirë, jam i lumtur dhe i motivuar për të fituar sërish”, - ka theksuar përpara finales Kristiano Ronaldo, autori i tre golave për Portugalinë në gjysmëfinalen ndaj Zvicrës. Ylli i Juventusit nuk “ngopet” kurrë me trofe. "Është një nder kur luaj për Portugalinë. Të jesh pjesë e këtij kompeticioni është diçka speciale, si ‘qershia mbi tortë’. Shpresoj të fitoj trofeun, luajmë në shtëpi dhe do të japim gjithçka për të qenë kampionë”, - ka shtuar më tej Ronaldo.

Faqja e parë e portugezes "Abola", kushtuar finales së sotme

Favori i Portugalisë në këtë finale është se luan para tifozëve të saj dhe forma shumë e mirë e Kristiano Ronaldos. Por këtë herë ai do të ketë përballë një gjigant si Virxhil Van Dijk, mbrojtësi i Livepulit që pak ditë më parë u shpall kampion i Europës me ekipin anglez. Holanda gjithashtu do të mbështetet te dy talentet De Ligt dhe De Jong. Pritet një ndeshje e hapur, sepse të dyja skuadrat bëjnë lojë sulmuese. Anglia dhe Zvicra ndërkohë që do të diskutojnë mes tyre vendin e tretë të Ligës së Kampionëve, në një ndeshje që luhet në orën 15:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë