Treg

Fillojnë rezervimet në jug, ulen çmimet e dhomave, por ende ka paqartësi

Sabina Veizaj - Anita teksa mban fëmijën e vogël në krahë që grindet, i përgjigjet telefonit me shpresën se dikush sypatrembur do të rezervojë pushimet në Livadh.

Një vit më parë në këtë kohë, turizmi i fundjavave kishte filluar dhe dhomat për verën ishin rezervuar tashmë për çdo pesëmbëdhjetë ditësh.

Ndërsa tani me situatën e krijuar nga pandemia botërore për shkak të koronavirusit, të gjithë që disponojnë disa dhoma në plazh me sy e vesh kah telefoni, por klientët e përhershëm janë të sigurt.

“Njerëzit duan shumë. Na telefonojnë, por situata është e paqartë dhe e pasigurt. Gjithsesi ne jemi përgatitur që do të ketë turizëm këtë vit, pavarësisht se jo si vitet e kaluara. Unë kam 10 dhoma. Deri më tani 5 kanë rezervuar. Një vit më parë apartamentet varionin në 7 mijë-8 mijë lekë nata. Këtë vit kemi toleruar 1000 -1500 lekë për shkak të gjendjes” – thotë Anita për Gazetën “Si” teksa përiqet nga  ana tjetër e telefonit të rehatojë dhe fëmijën që grindet papushim.

Alda ka prenotuar në Himarë.

“Ne kemi fëmijë të vegjël dhe prej disa vitesh pushimet e verës i bëjmë në Himarë tek i njëjti apartament që është buzë detit. Pagesa për dy javë është 50 euro nata apartamenti. Por këtë vit, pronari i apartamentit na i la me 5 mijë lekë për shkak që do ta  rezervojmë për një muaj. Jeta vazhdon dhe pushimet janë pjesë e saj, sidomos pas një izolimi kaq të gjatë dhe frike e stresi që na mbërtheu të gjithëve”- shprehet Alda e cila është e bindur që do të bëjë pushime me familjen edhe këtë vit, sigurisht siç thotë “duke repsektuar rregullat e përcaktuara nga Ministria e Shëndteësisë”.

Në fakt Himara është shumë e preferuar, veçanërisht për familjarët shqiptarë. Ata që duket se do të mungojnë këtë vit, janë të huajt; të paktën deri tani që nuk ka ndonjë sinjal për lirimin e kufijve ajrorë që të nisin fluturimet.

Z. Vasil i cili disponon 6 dhoma pushimi në Himarë thotë se besnikët e tij nuk e tradhëtojnë as këtë vit të vështirë.

“Tre familjet e përhershme që i kam prej vitesh, kanë rezervuar. Trembem se të huaj nuk do të kemi këtë vit. Ata interesohen, por nuk varet as nga ne, as nga ata. Vitin e kaluar e kishim nisur sezonin që për pashkë, të paktën fundjavave. Këtë vit vështirë, por si të gjithë. Shpresa vdes e fundit”- thotë Z. Vasil.

Ai nuk ka bërë ndonjë tolerim në çmime, por i ka sipas fluksit të sezonit, të cilat variojnë nga 3 mijë e 500 lekë dhoma deri në 5 mijë lekë.

Zotëruesit e dhomave nuk shprehin ndonjë shqetësim për masat, për ta e rëndësishme është të kenë punë.

Pavarësisht minirezervimeve, thotë ata, sepse nuk është e qartë situata, ne jemi me besim se këtë vit, të gjithë shqiptarët do të vijnë në jug.

Albana Lala nga Hotel Fabio në Borsh thotë se kanë nisur rezervimet për nga muaji korrik e mbrapa.

“Njerëzit mezi po presin për të pushuar dhe për të çliruar stresin e këtyre muajve.”- thotë znj. Lala.

Ajo mendon se paisja me mjetet e duhura sipas rregullores nuk do të jetë ndonjë kosto e madhe, por do të jetë fitim i munguar largësia e kërkuar prej tavolinave dhe shezlongëve, “megjithatë, ne shpresojmë shumë se do të kemi turizëm këtë vit. Njerëzit po kërkojnë dhe po rezervojnë”- thotë ajo për gazetën “Si”.

Të dhënat e INSTAT për turizmin (hyrje-daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj sipas muajve) tregojnë qartë se si ka ndikuar situata e krijuar në lëvizshmëri brenda për brenda vendit, po ashtu nga vendi – jashtë dhe nga jashtë për në Shqipëri.

Megjithatë sipërmarrësit e turizmit, por shpresojnë që ky sezon të mos humbasë tërësisht, por të kenë 30-50% të kapacitetit të një viti më parë. Shoqata konfirmojnë se kërkesa të brendshme ka, por njerëzit janë të ndrydhur për shkak të gjendjes pezull.

"Interesimi dhe rezervimet e plota do të jenë të sigurta kur qeveria të japë ok që këtë vit do të ketë sezon turistik, kjo po i step njerëzit"- shprehen përfaqësues të shqoatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë