Bota

Fiket spitali në Gaza, Ushtria e Izraelit: Jemi gati që të evakuojmë foshnjat

Komunikimet janë ndërprenë dhe të gjithë gjeneratorët e spitalit kryesor të Gazës, Al-Shifa, janë fikur këtë të diel, pasi është vendosur nën rrethimin e ushtrisë izraelite.
IDF beson se spitali është selia e Hamasit, ku fshihet edhe lideri i fraksionit të armatosur, Jahya Sinwar. Por, shkëputja e energjisë elektrike për spitalin si dhe mungesa e ujit, internetit dhe ilaçeve, sipas ministrit palestinez të Shëndetësisë ka vënë në rrezik serioz jetën e të paktën 39 të porsalindurve.

Ushtria e Izraelit tha se është e gatshme për t’i evakuuar foshnjat nga spitali më i madh dhe kryesor i Rripit të Gazës të dielën, ku zyrtarët palestinezë thanë se dy foshnje të porsalindura vdiqën dhe dhjetëra të tjera janë në rrezik, pas harxhimit të karburantit.

Autoritetet kufitare të Gazës thanë se pikëkalimi Rafah për në Egjipt do të mbetet i hapur për njerëzit me pasaporta të huaja, teksa situata humanitare po përkeqësohet.

Jordania, ndërkohë, hodhi nga ajri ndihma edhe të dielën në një spital fushor në këtë enklavë.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Daniel Hagari, tha të shtunën vonë se ekziston një korridor i sigurt përmes të cilit mund të evakuohen civilët nga spitali Shifa për në jug të Gazës.

Ai shtoi se trupat e saj do të ndihmojnë në largimin e foshnjave nga spitali të dielën, dhe se do të mbajë kontakt me stafin e spitalit për këtë.

“Ne jemi duke folur drejtpërdrejt dhe vazhdimisht me stafin e spitalit. Stafi i Shifas ka kërkuar që nesër ne të ndihmojnë në dërgimin e foshnjave në një spital më të sigurt, ne do ta ofrojmë ndihmën e nevojshme”, tha Hagari.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e udhëhequr nga grupi radikal Hamasi, i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, thotë se në Shifa janë ende 1.500 pacientë, bashkë me një staf mjekësor prej 1.500 vetash, si dhe me rreth 15.000 deri në 20.000 njerëz të strehuar.

Izraeli tha se ende po hidhen raketa nga Gaza në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen më shumë se 240 të tjerë nga Hamasi muajin e kaluar, sipas tij.

Ministria e Gazës thotë se numri i të vrarëve nga bombardimet hakmarrëse izraelite ka shkuar në mbi 11.000, prej të cilët rreth 40 për qind fëmijë.

Veprimet e Tel Avivit kanë ndezur zemëratën në Lindjen e Mesme, me Presidentin iranian Raisi që ka bëri thirrje për ‘përcaktimin e ushtrisë izraelite si një organizatë terroriste’.

Edhe udhëheqësi i grupit libanez Hezbollah ka qenë gjithashtu i ashpër, duke thënë se ‘nuk ka më kohë për entitetin sionist dhe për ata që e mbështesin atë’.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka paralajmëruar Autoritetin Kombëtar Palestinez të (PNA), se nuk do të jenë ata që do të qeverisin Gazën pas luftës.

‘Ne nuk do të lejojmë ata që nuk e kanë dënuar masakrën për mbi 30 ditë të kontrollojnë Gazën të nesërmen. Në Gaza nuk do të ketë asnjë autoritet civil që edukon terrorizmin dhe u paguan paga terroristëve dhe ushtria do të vazhdojë të mbajë kontrollin’, tha Netanjahu.

Më tej, lideri hebre akuzoi Hamasin se po ndalon evakuimin e civilëve në Gaza.

‘Ai që po pengon evakuimin e qytetarëve civilë të Gazës nuk është Izraeli, është Hamasi. Nuk është Izraeli ai që po gjuan në vendkalimet e korridoreve humanitare. Prandaj përgjegjësia për evakuimin e civilëve nuk është e Izraelit, është e Hamasit’, deklaroi Netanjahu. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë